2008-07-09 17:46:58

Kisha e Keralasë së bashku me myslimanët e induistët, i kundërvihet një teksti shkollor, që mbron komunizmin dhe ateizmin.


(09.07.2008 RV)Katolikët, myslimanët dhe hinduistët e shtetit indian të Keralasë janë kundër një teksti për shkollat e mesme, botuar nga ministria e arsimit, që mbron doktrinën komuniste e ateiste. Lajmi botohet në gazetën vatikanase ‘L’Osservatore Romano’, e cila nënvizon se të trija fetë kërkojnë tërheqjen e librit, ndërsa protestantët e ortodoksët shprehin mendimin se akuza është pa bazë, mendim që mbështetet edhe nga qeveria. Kryeipeshkvi i Verapolit dhe kryetar i ipeshkvijve të vendit, Imzot Daniel Akaruparambil, thekson se Kisha nuk pranon kompromise lidhur me tekstin që, si çdo tekst me përmbajtje marksiste, e sulmon hapur fenë. Edhe ipeshkvijtë e tjerë e kritikojnë hapur tekstin, por disa prej tyre pohojnë se Kisha katolike nuk mund të mbajë qëndrim lidhur me përdorimin ose mospërdorimin e teksteve shkollore publike.
Në libër theksohet se të trija fetë, që praktikohen në Indi, e ndajnë shoqërinë në kasta, duke thelluar kështu përçarjen dhe pabarazinë shoqërore ndërmjet njerëzve. Nuk merret fare parasysh tradita e lashtë e Kishës së Keralasë, që ka luftuar gjithnjë kundër pabarazisë shoqërore. Ta pranosh librin, është një lloj si të thuash se prindërit nuk duhet të ndërhyjnë fare në edukimin moral e arsimor të fëmijëve, madje nuk duhet të marrin asnjë vendim për jetën e tyre, derisa të rriten e të mund të vendosin vetë për ardhmërinë.
Sipas Kishës katolike, e cila organizoi edhe një manifestim proteste, teksti nuk flet hapur kundër fesë, në favor të komunizmit, por e përçon mesazhin e vet përmes anekdotave e deklaratave të njerëzve të nderuar në Indi, gjë që në gjuhën popullore quhet: “Të hedhësh gurin e të fshehësh dorën!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.