2008-07-09 17:46:20

Atë Federiko Lombardi foli sot para gazetarëve për takimet kryesore që do të mbahen gjatë shtegtimit të Papës në Sidnei për Ditën Botërore të Rinisë.


(09.07.2008 RV)Po afrohet e shtuna, dita e nisjes së Benediktit XVI në Australi, për të marrë pjesë në Ditën XXIII botërore të Rinisë, që do të fillojë në Sidnei të martën, më 15 korrik. Sot paradite, atë Federiko Lombardi, drejtor i Sallës vatikanase të Shtypit, u foli gazetarëve për veprimtaritë kryesore, të parashikuara në programin e shtegtimit të Papës.
Benedikti XVI do të niset me helikopter nga Pallati Apostolik i Kastel Gandolfos drejt aeoportit ndërkombëtar të Fiumiçinos, për të arritur me një avion B777 të Alitalias në Australi, i shoqëruar nga kardinajtë Sodano, Bertone e Valini si dhe nga një grup bashkëpunëtorësh. Do të niset në orën 10. 00 të datës 12 korrik, për të arritur në Sidnei pas një fluturimi prej 21 orësh. Papa do të zbresë në aeroportin ushtarak të Darvinit, ku do të ndalohet për një orë e gjysëm. Fillon kështu shtegtimi i nëntë ndërkombëtar i Benediktit XVI, më i gjati përsa i përket kohës e rrugës që do të përshkojë, për të marrë pjesë, për herë të dytë, pas Këlnit, në Ditën botërore të Rinisë, sivjet organizuar nga Australia, ku kanë qenë për vizitë edhe Pali VI në vitin 1970 e Gjon Pali II në vitet 1986 e 1995.
Është një shtegtim i ndërlikuar në planin organizativ - shpjegoi Atë Lombardi - që do ta shoqërojë Papën në këtë mision pranë të rinjve të mbarë botës, të cilët do të mblidhen në metropolin e Sidneit për të kremtuar – siç nënvizoi Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot të së dielës së kaluar – Rrëshajët e reja. Kujtojmë se tema e kësaj Dite botërore të Rinisë është premtimi që Jezusi u bëri dishepujve të vet pas ngjalljes: “Do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju dhe do të bëheni dëshmitarët e mi”.

Por, të kthehemi tek hollësirat e programit. Pas arritjes në Sidnei, më 13 korrik, Papa do të qëndrojë tri ditë në selinë private të Kënthërs Stadi (Kenthurst Study), qendër e Opus Dei-t për ushtrime shpirtërore e formim, ku do të pushojë e do të përgatitet për takimin e madh, i cili do të hapet, pa praninë e Papës, me një Meshë që do të kremtohet pasditen e së mërkurës, 15 korrik. Në mbrëmjen e së mërkurës Papa do të arrijë në Këthidral Haus të Sidneit e që nga enjtja, do të nisë pjesëmarrja e tij në DBR. Paradite Ati i Shenjtë do të pritet në Shtëpinë Qeveritare (Governmment House) nga governatori i përgjithshëm, Xheferi e nga kryeministri Rudd dhe do të mbajë fjalimin e parë publik.
Më pas Ati i Shenjtë do të bëjë një vizitë lutjeje në Kapelën përkujtimore Meri Mëklop, kushtuar së Lumes së parë australiane, lumnuar nga Papa Gjon Pali II në vitin 1995, për t’u takuar, më pas, me governatorin e përgjithshëm dhe me kryeministrin.
Pasdite Ati i Shenjtë do të pritet me valle e këngë tradicionale nga banorët vendas, aborigjenët, në Rouz Bei (Rose Bay), ku do të arrijë me anijen “Sidnei 2008”. Tema e aborigjenëve dhe e të drejtave të tyre të nëpërkëmbura prej shekujsh – nënvizoi Atë Lombardi – do të jetë shumë e pranishme gjatë këtij shtegtimi, si në fjalët e Papës, ashtu edhe në fjalimet e autoriteteve civile.
Për t’u shënuar, pastaj, dita e premte, që do të fillojë me dy takime: në Katedralen e Shën Marisë të Sidneit – takimi i parë ekumenik (për t’u kujtuar se numri katolikëve në Australi është më i madh se ai i anglikanëve), ndërsa i dyti, me përfaqësuesit e feve të tjera, edhe këto në rritje numerike, posaçërisht budizmi e islami – kryesisht për shkak të emigracionit nga Azia.
Pasdite të rinjtë e Sidneit do të kremtojnë Udhën e Kryqit në Sheshin para katedrales. Ati i Shenjtë do të thotë një lutje pas stacionit të parë e, në vijim, do ta ndjekë zhvillimin në televizion nga katedralja e Shën Marisë. Në përfundim të kësaj dite, Papa do të takohet me një grup të rinjsh, që riedukohen në bashkësinë e Universitetit të Zojës së Bekuar.
Të shtunën, më 19 korrik, dita do të nisë me Meshën Shenjte, kremtuar së bashku me ipeshkvijtë australianë, me seminaristët e me novicët. Më pas, nata e madhe, e pagjumë, e lutjes me të rinjtë, në hipodromin e Rënduikut (Randwick) të Sidneit.Të dielën, më 20 korrik, në orën 10 me orën vendase, 2 pas mesante me atë evropiane, gjithnjë në hipodrom, Benedikti XVI do të kremtojë Meshën Shenjte për Ditën XXIII Botërore të Rinisë. Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot do të japë zyrtarisht njoftimin për selinë e ardhshme të DBR-s 2011. Pasdite do të takojë bamirësit dhe organizatorët e DBR-së, të cilët do t’i falënderojë për impenjimin.
Së fundi, ceremonia e lamtumirës në aeroportin ndërkombëtar të Sidneit, ku Papa do t’u përsërisë edhe një herë të rinjve ftesën ‘të dalin në det të hapur’, për t’ia kumtuar mbarë botës Lajmin e Mirë.







All the contents on this site are copyrighted ©.