2008-07-09 17:49:38

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Luigji XIII e shpall Zojën e Bekuar Pajtore të Francës".


(09.07.2009 RV)RealAudioMP3 “Lartmadhëri….ushtria juaj… arriti fitoren e plotë … në Korbje!”.
Luigji XIII ngrihet nga froni pa fjalë, i mahnitur nga ky lajm. Nuk e priste këtë fitore. Që në fillim, një vit më parë, lufta kundër mbretit të Spanjës, Filipit, dukej e humbur për francezët. Spanja është një shtet i fuqishëm, që e rrethon Francën, sepse ka shtënë në dorë Fiandrën, një zonë e pafundme, pranë detit të veriut. Në jug, në veri… armiku është kudo! E sivjet ushtria e Filipit IV pushtoi edhe Burgonjën, krahinë në zemër të Francës. Spanjollët së shpejti do të arrijnë tek portat e Parisit… Luigji XIII është i bindur për këtë, prandaj u mbyll në kështjellën e tij të Shantijisë. Por ja që sot Korbje u çlirua. Korbje është një qytet pranë Parisit, të cilin spanjollët e patën pushtuar një vit më parë. Por tani francezët rrethuan rrethuesin. Të gjithë e dinin se kjo betejë do të ishte vendimtare. Në se spanjollët do t’i zmbrapsnin francezët, sigurisht që do të marshonin me shpejtësi drejt Parisit e Franca do të binte e tëra në duart e tyre. Ndërsa më 11 nëntor 1636 Korbje çlirohet.
“Këtu shoh vetë dorën e Zotit!”, flet me vete Luigji XIII. Lajmi i duket i pabesueshëm, i duket thjeshtë mrekulli!
“Këtë thotë edhe ministri juaj, kardinali Rishelië, madhëri!”, vëren kasneci. “Thotë se ushtria juaj duhet të ishte shpartalluar qëkur, mbasi shumë më e paktë në numër se ajo e spanjollëve. E, duke parë se kjo fitore nuk ka asnjë shpjegim logjik, është i bindur, ashtu si ju, se duhet falënderuar qielli”.
“Pikërisht këtë kam ndër mend të bëj. Sot Virgjëra Mari e shpëtoi Francën: do t’ia kushtoj asaj mbretërinë time. Rishelië më pati këshilluar t’ia bëja këtë kusht Marisë, për të arritur fitoren. Kam pritur edhe tepër. Nuk dua ta zgjat më, sepse do të ishte mosmirënjohje!”.Në fund të nëntorit, Luigji XIII shkon në katedralen e Shën Marisë së Parisit për ta falënderuar Zojën e Bekuar. Por kjo i duket tepër pak. Kështu, më 10 shkurt 1638, nënshkruan një dokument, përmes të cilit e shpall Virgjërën Mari, Pajtore të Francës. Ia kushton Zojës personin e vet, kurorën dhe të tërë banorët e mbretërisë , që t’i mbrojë të gjithë e t’u prijë drejt mbretërisë së Zotit.
Ndonëse Franca sot nuk ka më mbret, as fron, tradita që nisi me kushtin e Luigjit XIII vijon. 15 gushti, dita e Marisë, është edhe sot ditë feste. Më 15 gusht francezët nuk punojnë, sepse përkujtojnë e kremtojnë!







All the contents on this site are copyrighted ©.