2008-07-08 18:32:09

Në Rusi kremtohet për herë të parë ‘Dita e familjes, e dashurisë dhe besnikërisë”.


(08.07.2008 RV)RealAudioMP3 Për herë të parë sot në Rusi u kremtua “Dita e familjes, e dashurisë dhe besnikërisë”. Nisma lindi në qytetin e Muromit, rreth 300 kilometra larg Moskës, ku jetuan Pjotri e Fevronija, që Kisha ortodokse ruse i shpalli shenjtorë në vitin 1547 e që kremtohen më 8 korrik. Propozimi u pranua me entuziazëm nga Këshilli Ndërfetar Rus, nga Patriku Aleksej II si dhe nga imzot Paolo Peci, kryeipeshkëv i kryedioqezës së Nënës së Hyjit në Moskë, i cili shprehet kështu në mikrofonin e Radios sonë:

Përgjigje: - Mendoj se, ashtu si në vendet e tjera të botës, ne vuajmë sepse familjet shtohen e zhvillohen pa kurrfarë baze reale, që mund t’i mbështesë. Kjo çon me lehtësi në ndarje, në grindje e, natyrisht, ka edhe pasoja të rënda mbi jetën e fëmijëve, të cilëve dy prindër që jetojnë të ndarë, nuk e kanë të lehtë t’u transmetojnë vlera e t’u ngjallin shpresa për të ardhmen.

Pyetje: - Shkelqësi, a mund të themi se mbështetja e kësaj dite kushtuar familjes nga ana juaj, si kryeipeshkëv katolik i Moskës, por edhe nga ana e Patrikut Aleksej II, dmth nga pala ortodokse, është një shenjë e bashkëpunimit më të ngushtë ndërmjet katolikëve e ortodoksëve, në mbrojtje të rrënjëve e të vlerave tradicionale të krishtera?

 
Përgjigje: - Mendoj se sigurisht që mund të vlerësohet kështu. Nuk ishte projekt i krijuar bashkërisht por, kur qe fjala për ta mbështetur, ishim një mendjeje. Kemi shqetësimin e përbashkët për të mirën e besimtarëve, të nënshtetasve të kësaj toke, së cilës jemi të thirrur t’i shërbejmë. E kjo ditë i kushtohet mbrojtjes së pasurisë më të çmuar të njeriut, jetës, nga lindja në përfundimin e saj të natyrshëm.

Pyetje: - Dita e familjes natyrisht i kushtohet familjes, dashurisë e besnikërisë. Kujt duhet t’i qëndrojmë besnikë? Vetëm bashkëshortit, apo është fjala për konceptin e besnikërisë, kuptuar si dashuri e përkryer?

Përgjigje: - Asaj (dashurie) që e mundëson burrin të jetë besnik ndaj gruas së vet e asaj që i mundëson, kujt është i thirrur të jetojë i virgjër, t’i qëndrojë besnik premtimit të tij, dy anë këto, të konceptit të besnikërisë, që nuk mund të ndahen. Nuk duhet harruar se Kisha, me urtinë e saj shumshekullore, nënvizon se besnikëria, në një farë mënyre, është dhuratë hiri, që duhet kërkuar. Prandaj Kisha e lidh këtë besnikëri edhe me vetë sakramentin, me forcën, energjinë e hirin, që nuk mbështeten në aftësitë tona, por në besnikërinë e Zotit, i cili është besnik përgjithmonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.