2008-07-08 18:20:28

Në letërkëmbimin me kryeministrin britanik, Braun, Benedikti XVI thekson: “Në se nuk globalizohet solidariteti, uria e varfëria do të vijojnë ta trondisin botën.


(08.07.2008 RV)Të krijohen kushtet paraprake, që pasuritë e tokës të shfrytëzohen nga të gjithë e krizat ekonomike të Planetit, të zgjidhen me sukses, duke e çliruar botën nga uria e nga mungesa kronike e ndihmës mjekësore. Me një fjalë ‘të globalizohet solidariteti’. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, i përgjigjet kështu, në emër të Benediktit XVI, letrës dërguar kohë më parë Papës, nga kryeministri britanik, Gordon Braun, me theks mbi “Objektivat e zhvillimit të Mijëvjeçarit” të OKB-së. Letërkëmbimi botohet në numrin e fundit të ‘L’Osservatore Romano’.
Është një shkëmbim shumë aktual mendimesh ndërmjet Londrës e Vatikanit, të cilin kronika e këtyre ditëve – e interesuar për G8-ës të Toiakos në Japoni – e vë në plan të parë. Benedikti XVI e Gordon Braun, duke u nisur nga këndvështrime të ndryshme, prekin problemet më të mprehta, që kanë të bëjnë me vënien në jetë të Objektivave të zhvillimit të Mijëvjeçarit (MDG): program ambicioz, i konkorduar në vitin 2000 nga 119 shtetet anëtare të OKB-së, mbi bazën e të cilit vendosej, ndërmjet tjerash, të shrrënjosej në gjithë botën varfëria, mjerimi, uria; të garantohej shkollimi fillor universal, të reduktohej vdekshmëria foshnjore nën pesë vjeç, të bllokohej përhapja e Sidës. Të gjitha këto, brenda vitit 2015. Në letrën drejtuar Papës më 23 maj 2008, Brauni flet troç: “Nuk po i nderojmë – shkruan kryeministri britanik - impenjimet që morëm në vitin 2000”.
Pasi u hedh një vështrim të shpejtë nismave të solidaritetit, në të cilat Selia e Shenjtë ka qenë në vijë të parë të frontit në gjithë botën, siç është blerja, sipas dëshirës së Benedikti XVI, e Obligacionit ndërkombëtar për vaksinimin, që u krijon kushtet e imunizimit një gjysëm miliard fëmijëve brenda 2015-tës, duke shpëtuar 5 milionë prej tyre – kryeministri britanik flet për impenjimin e tij në favor të Objektivave të Mijëvjeçarit. Braun e shikon takimin e nivelit të lartë të 25 shtatorit të ardhshëm, si ngjarje tepër të rëndësishme sepse – shpjegon ai – pikërisht në këtë mbledhje të OKB-së do të analizohet ç’është bërë e ç’mbetet për t’u bërë deri në vitin 2015. E, përfundon me një thirrje: “Pa një aksion me goditje të përqëndruar gjatë këtij viti, Objektivat e zhvillimit të Mijëvjeçarit do të mbeten vetëm në letër e do të humbasë edhe për një brezni tjetër, mundësia e mbajtjes së premtimeve, që i bëmë botës në rrugë zhvillimi”.
Benedikti XVI – përgjigjet në letrën e 18 qershorit kardinali Bertone – lutet që takimet ndërkombëtare të parashikuara për gjysmën e dytë të vitit në vijim, t’i japin një përgjigje konkrete krizave ekonomike, të cilat trondisin zona të ndryshme të planetit e të realizojnë një plan veprimtarie ndërkombëtare, për ta çliruar botën nga varfëria e skajshme, nga plaga e urisë e nga mungesa kronike e shërbimit mjekësor të përgjithshëm.
Në mënyrë të posaçme, sekretari i Shtetit të Vatikanit përsërit fjalët e mesazhit të Papës, drejtuar një muaj më parë Konferencës së FAO-s mbi sigurinë ushqimore. “Nuk duhen globalizuar vetëm interesat ekonomike e tregtare, por edhe solidariteti! Po si? Në radhë të parë, pasi ta falënderojnë FAO-n për luftën që po bën kundër urisë, qeveritë duhet të bashkëpunojnë në mënyrë gjithnjë më transparente me organizatat e me shoqëritë civile, që impenjohen për të sheshuar hendekun ndërmjet pasurisë e varfërisë. E përveç kësaj, duhen vënë në jetë reformat strukturore që, në nivel kombëtar, janë të domosdoshme për të përballuar me sukses problemet e prapambetjes ekonomike, me pasojë të drejtpërdrejtë urinë e ushqimin e keq”.Urohet, prandaj – vijon letra e kardinalit Bertone – që t’i kushtohet vëmendja e duhur respektimit të dinjitetit njerëzor në gjitha bisedimet, në të gjitha vendimet e në gjithë rrugën që ndiqet për vënien e tyre në jetë, në mënyrë që frytet e gjithësisë të shfrytëzohen nga të gjithë e sidomos, nga breznitë e ardhshme. Vetëm në se punohet me një ndjenjë të lartë përgjegjësie e bujarie – përfundon letra - mund të garantohet vënia në jetë e Objektivave të Mijëvjeçarit brenda datës së caktuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.