2008-07-08 19:15:19

Maria Voçe u zgjodh presidente e Lëvizjes së Fokolarëve, pas Kiara Lubiç


(08.07.2008 RV)RealAudioMP3 Është Maria Voçe, një nga bashkëpunëtoret më të ngushta të Kiara Lubiç, presidentja e re e Lëvizjes së Fokolarëve. U zgjodh dje gati njëzëri, nga Asambleja e Përgjithshme e mbledhur në Kastelgandolfo, pranë Romës. Lindur në Ajelo Kalabro në vitin 1937, Maria Voçe ka mbaruar studimet e teologjisë dhe të së drejtës kanonike. Ka një përvojë të gjatë në fushën e ekumenizmit dhe të dialogut ndërfetar. Bashkë me të është zgjedhur president Xhankarlo Faleti, që më parë ka qenë përgjegjës, sëbashku me një tjetër, për Lëvizjen në Romë. Maria Voçe e ka marrë në dorë presidencën e fokolarinëve, duke e ditur se zgjidhet menjëherë pas Kiara Lubiç, themelueses dhe udhëheqëses së parë të Veprës së Marisë, emri zyrtar i Lëvizjes. Të dëgjojmë se si e priti këtë detyrë, me ç’emocione e ç’ndjenja…
Me emocion të madh natyrisht, por edhe në paqe, sepse gjatë këtyre ditëve pashë se si shpirti i Kiarës nuk është larguar me të, por ka mbetur me të vërtetë i pranishëm në të gjithë personat, që marrin pjesë në Asamble. Nuk është e rëndësishme që u zgjodha unë kryetare apo një tjetër, është e rëndësishme që Kiara të vazhdojë ta frymëzojë veprën e saj, në këtë moment.
Lëvizja e Fokolarëve është shumë e gjerë, e përhapur në të gjithë botën, e ka brenda saj kategori të ndryshme njerëzish e thirrjesh. Si mund të çohet përpara një realitet i tillë?
Një herë e pyetën Kiarën: “Si ia bën për të ndjekur kaq shumë njerëz?”. E Kiara u përgjigj: “Unë ndjek Zotin e të tjerët më vijnë pas”. Do të përpiqem të bëj si ajo. Pa dyshim, nuk mund t’i ndjek të gjitha realitetet e veprës sonë. Por mund të përpiqem të bëhem një me Zotin, t’i dua të gjitha realitetet e veprës, e sëbashku me to, të zbuloj për secilën atë veçori, që e bën dëshmitare të vërtetë të karizmës së Kiarës, në vendin ku ndodhet: të rinjtë në mes të rinisë, ata që punojnë në mes të ambienteve të punës në shoqëri, në mes të kolegëve, meshtarët në shërbimin e tyre meshtarak, familjet në jetën e tyre familjare. Mendoj se mua më takon vetëm t’i dua të gjithë, e sëbashku me ta të kuptoj se si secili mund ta mishërojë këtë karizëm në fushën e vet. Sigurisht, përparësia jonë është të priremi me të gjitha forcat drejt qëllimit për të cilin ka lindur vepra, pra të arrijmë bashkimin, në të gjitha nivelet, në të gjitha fushat: që prej atij ndërmjet brezave, në atë ndërmjet kishave, ndërmjet feve, ndërmjet të gjithë njerëzve, derisa të ndërtojmë atë familje universale, që mund t’i përgjigjet emrit “Vepër e Marisë”, emër me të cilin është miratuar edhe Lëvizja.








All the contents on this site are copyrighted ©.