2008-07-08 19:04:11

Benedikti XVI shtegtar në Australi për Ditën XXIII Botërore të Rinisë.


(08.07.2008 RV)Të shtunën e ardhshme Benediktit XVI do të nisë shtegtimin e nëntë apostolik ndërkombëtar në Sidnei, me rastin e Ditës XXIII Botërore të Rinisë.
Papa do të niset për në Australi më 12 korrik e do të kthehet në Romë më 21 të të njëjtit muaj.
Pas Këlnit 2005, të rinjtë e mbarë botës përgatiten ta përqafojnë përsëri Benediktin XVI. Papa do të niset nga aeroporti ndërkombëtar i Fiumiçinos në orën 10. 00 të datës 12 korrik për në Australi, ku do të arrijë paraditën e 13 korrikut në aeroportin ushtarak të Darvinit. Prej këndej do të shkojë në Riçmond, 60 kilometra larg Sidneit, ku do të kalojë një periudhë pushimi privat, deri paraditën e 17 korrikut. Këtë ditë do të mbahet edhe ceremonia e mirëseardhjes në Shtëpinë Qeveritare të Sidneit. Më pas Papa do të bëjë një vizitë lutjeje në Kapelën përkujtimore Meri Mëklop; do të takohet me governatorin e përgjithshëm dhe me kryeministrin. Pasdite Ati i Shenjtë do të pritet me valle e këngë tradicionale nga banorët vendas, aborigjenët, ndërsa më pas do të udhëtojë me anijen “Sidnei 2008” për në molon e Barangaro Ist Daling Habë, ku do të pritet nga të rinjtë, në festë.
Paraditën e datës 18 korrik do ta nisë me audiencat private të autoriteteve vendase të Sauth Ueils të Sidneit. Më pas Papa do të marrë pjesë në takimin ekumenik, që do të organizohet në katedralen e Shën Marisë të Sidneit, për t’u takuar, në vijim, me përfaqësuesit e feve të tjera.
Pasdite të rinjtë e Sidneit do të kremtojnë Udhën e Kryqit. Ati i Shenjtë do të thotë një lutje në përfundim të stacionit të parë e, më pas, do ta ndjekë zhvillimin në televizion nga katedralja e Shën Marisë. Në përfundim të kësaj dite, Papa do të takohet me një grup të rinjsh, që riedukohen në bashkësinë e Universitetit të Zojës së Bekuar.
Të shtunën, më 19 korrik, dita do të nisë me Meshën Shenjte, kremtuar së bashku me ipeshkvijtë australianë, me seminaristët e me novicët. Më pas, nata e madhe, e pagjumë, e lutjes me të rinjtë, në hipodromin e Rënduikut të Sidneit.
Të dielën, më 20 korrik, gjithnjë në hipodrom, Benedikti XVI do të kremtojë Meshën Shenjte për Ditën XXIII Botërore të Rinisë. Pasdite do të takojë bamirësit dhe organizatorët e DBR-së.Së fundi, ceremonia e lamtumirës në aeroportin ndërkombëtar të Sidneit. Sipas parashikimit, Papa duhet të arrijë në Romë në orën 23. 00.







All the contents on this site are copyrighted ©.