2008-07-08 18:34:02

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Françesk Regjis, meshtari që e predikonte Ungjillin pranë vatrës".


(08.07.2008 RV)RealAudioMP3 Françesku shikon nga dritarja e shtëpisë retë e zeza, që dynden mbi Masivin Qëndror, në zonën qendro-jugore të Francës: këto re do të reshin së shpejti flokët e para të dëborës.
“Duhen përgatitur këpucët e dimrit”, mendon me vete Françesku.
Meshtari i ri ka ardhur në Pyi dy vjet më parë, në vitin 1636 e, që kur nisi të jetojë këtu, e ka bërë zakon ta ndajë vitin në dy pjesë. Gjatë stinës së ngrohtë rri në qytet, për të ndihmuar të varfërit. Zija e bukës, që përfshiu kohët e fundit mbarë popullsinë e zonës e luftërat e paprera ndërmjet katolikëve e protestantëve, shkaktuan shpërnguljen e mijëra njerëzve. Një pjesë e tyre është strehuar në Pyi e Françesku punon me të gjitha forcat për t’i ndihmuar.
Por sapo ia behë dimri, meshtari vë çelësin në një skutë, e niset drejt maleve. Nuk shkon të pushojë, as të rrëshqasë me ski. Asokohe janë tepër të paktë ata që mendojnë t’i kalojnë pushimet e dimrit në mal. Ndoshta edhe pse dimrat ishin shumë më të ftohtë se sot.
Ai ngjitet në mal, sepse dimri i mbyll malësorët në shtëpi. Verës jetojnë larg banesave, mes livadheve malore, ku shkojnë për të kullotur lopët e delet. Në se Françesku do të nisej për t’i takuar verës, do t’i gjente shtëpitë bosh. Po ai nuk shkon të flasë me muret. Nuk ka kohë për biseda të kësaj natyre. Niset, prandaj, kur e di mirë se i gjen të gjithë në shtëpi e se mund t’u flasë për Jezusin rreth vatrës, ku digjet një zjarr bubulak, ndërsa përjashta fryn e shfryn veriu i egër i maleve.
Në dimër njerëzit kanë më shumë kohë të lirë e janë gati të rrinë ditë-natë duke bërë pyetje e duke dëgjuar përgjigjet. Pastaj nuk ndodh shpesh që një prift të ngjitet në viset e tyre të humbura, të cilat mend shemben nën peshën e rëndë të dëborës. Malësorëve u pëlqen shumë Françesku, i bën për vete fisnikëria e thjeshtësia e tij. Ndonëse ka studiuar katërmbëdhjetë vjet në shkollat e jezuitëve të Toledos, as që i shkon mendja të mbahet me të madh para këtyre njerëzve të thjeshtë. Përkundrazi. Prandaj gjen kudo shtëpi mikpritëse e kisha përplot me besimtarë.
Kështu, për katër dimra me radhë, përshkon shtigjet e maleve të ngarkuara me dëborë. Pajton shumë njerëz me njëri-tjetrin e me Zotin; në këto kohë të vështira, përplot me ndeshje ndërmjet feve, shumë të krishterë nuk e dinë në se Zoti është i mirë, apo i keq…Ishte pikërisht dimri që ia mori jetën këtij meshtari, i cili nuk donte t’ia dinte për ngricat. Pak ditë para Krishtlindjes së vitit 1640, humbi rrugën mes malesh e mori një pleuritë. Nuk mundi kështu, t’i kremtonte Këshndellat, në një nga fshatrat e humbura, ku pritej me padurim.
Disa ditë më pas, në moshën dyzet e tre vjeçare, u kthye në shtëpinë e Atit qiellor.







All the contents on this site are copyrighted ©.