Përshëndetje posaçme e Papës drejtuar fëmijëve artistë.
(07.07.2008 RV)“Arti e kultura mund t’i bashkojnë popujt: fëmijët përfaqësojnë
ardhmërinë e familjes njerëzore e prandaj janë të thirrur të ndërtojnë një botë më
të bukur e më njerëzore”. Këto fjalë u drejtoi dje Benedikti XVI, gjatë Engjëllit
të Tënzot, 300 të rinjve, ardhur nga Kina e vende të tjera të botës, për të marrë
pjesë në ‘Festivalin e fëmijëve artistë 2008. “Dashuria, pajtimi, harmonia e solidariteti,
që ju dëshironi të përhapni me artin tuaj, si dhe prania juaj – u tha atyre Papa -
më nxit t’u uroj paqe e gëzim të gjithë bashkëmoshatarëve tuaj, në Kinë e në botë”. Festivali,
gjatë të cilit fëmijët do të japin shfaqje alegorike, që trajtojnë temën e harmonisë
ndërmjet njeriut e gjithësisë, nisi në Kinë më 1994, për të vijuar në Hungari, në
Australi e sivjet, në Romë e në Venedik.