Në Engjëllin e Tënzot Papa e fton mbarë Kishën për pjesëmarrje në Ditën Botërore të
Rinisë të Sidneit, ndërsa takimin e G8-ës të Hokaidos, për solidaritet.
(07.07.2008 RV)Shtegtimi apostolik,
që do të bëjë më 12 deri më 21 korrik në Australi dhe takimi i rangut të lartë i G8-së,
i cili filloi sot punimet në Japoni, ishin dy temat kryesore që preku Benedikti XVI
gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar në oborrin e Pallatit Apostolik të Kastel
Gandolfos. Papa ia besoi shtegtimin në Australi dhe takimin e të rinjve në Sidnei,
mbrojtjes amtare të Virgjërës Mari. Ati i Shenjtë iu lut Zojës së Bekuar edhe që periudha
verore t’u krijojë të gjithëve mundësinë të prehen, për t’u rikthyer, pastaj, në
punë, të çlodhur fizikisht e shpirtërisht. Mendimin e parë Papa ia kushtoi shtegtimit
të tij apsotolik në Sidnei, në Australi, me rastin e DBR-së. “Kryqi i të rinjve”
– tha Ati i Shenjtë - do të jetë edhe një herë, në Sidnei, dëshmitar i heshtur i
paktit të besëlidhjes ndërmjet Zotit Jezu Krisht e breznive të reja. Më 15 korrik
parashikohet festa e mikpritjes të të rinjve; të shtunën, më 19, nata e madhe me Papën,
ndërsa të dielën, më 20, kremtimi i Eukaristisë, çast kulmor e përfundimtar i ngjarjes
së madhe. “E ftoj mbarë Kishën ta ndjejë veten pjesëmarrëse në këtë etapë të
re të shtegtimit të madh rinor nëpër rrugët e botës, nisur më 1985 nga Shërbëtori
i Hyjit, Gjon Pali II. Dita e ardhshme Botërore e Rinisë do t’i ngjasë Rrëshajëve
të reja, sepse prej më se një viti bashkësitë e krishtera përgatiten, duke ecur në
rrugën që u tregova përmes Mesazhit tim me temë: “Do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt,
i cili do të zbresë në ju dhe do të bëheni dëshmitarët e mi”. Është premtimi
– shtoi Papa – që Jezusi u bëri dishepujve të vet pas ngjalljes, premtim që mbetet
gjithnjë i vlefshëm në Kishë. Kur Shpirti Shenjt pritet dhe dëgjohetnë lutje,
ndikon në shpirtin e besimtarëve aftësinë për t’u bërë dëshmitarë të Jezusit e të
Ungjillit të Tij. “Duke i fryrë velit të Kishës, Shpirti hyjnor e shtyn drejt
‘detit të hapur’ gjithnjë të ri, nga breznia në brezni, për t’u çuar të gjithëve lajmin
e mirë të dashurisë së Hyjit, që na u dëftua plotësisht në Jezu Krishtin, i cili vdiq
e u ngjall për ne”. Më pas Papa kujtoi se grupet e para të të rinjve janë
duke u nisur nga Kontinentet e tjera drejt Australisë: “Jam i sigurtë se nga
të katër anët e botës katolikët do të bashkohen me mua e me të rinjtë e mbledhur,
si në Çenakull, në Sidnei, duke e lutur me gjithë zemër Shpirtin Shenjt që t’i mbushë
zemrat me dritë, me dashuri për Zotin e për vëllezërit, me nismën guximtare për ta
përhapur mesazhin e amshuar të Jezusit në të gjitha gjuhët e në të gjitha kulturat”. Pas
lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa bëri një thirrje të fuqishme drejtuar pjesëmarrësve
në takimin e rangut të lartë të G8-së, që filloi sot punimet në Japoni. E më pas
uroi të vihen në jetë zotimet e marra në takimet e mëparshme të G8-së e të merren,
me guxim, të gjitha masat e nevojshme për të fituar mbi shuplakën e varfërisë, të
urisë, të sëmundjeve, të analfabetizmit, që trondisin akoma një pjesë të mirë të
njerëzimit: “U drejtohem, prandaj, pjesëmarrësve në takimin e Hokaido-Toiako,
që në qendër të vendimeve të tyre të venë nevojat e popullsive më të ligshta e më
të varfëra, të cilat vijojnë të varfërohen më tutje, për shkak të spekullimeve, të
trazirave financiare e të pasojave të tyre të mbrapshta mbi çmimet e ushqimeve e të
energjisë. Uroj që bujaria dhe largpamësia t’u ndihmojnë të marrin vendime që të sigurojnë
rifillimin e procesit të drejtë të zhvillimit të përgjithshëm, që mbron dinjitetin
njerëzor”.