2008-07-06 12:09:59

Një javë me Papën Benedikti XVI.


(06.07.2008) RealAudioMP3 Benedikti XVI, që të mërkurën, ndodhet në Kastel Gandolfo, ku do të qëndrojë derisa të niset për në Australi, më 12 korrik, në takimin e madh rinor të Sidneit.
Bashkësia e Kastel Gandolfos e pret gjithnjë me gëzim Atin e Shenjtë e, si çdo vit, edhe të mërkurën e kaluar, ishte e tëra para Selisë së Atit të Shenjtë, për t’i uruar mirësardhjen, por edhe për të marrë prej tij bekimin e parë, pas arritjes në Kastel Gandolfo. Këtë herë, për çudinë por edhe kënaqësinë e të gjithëve, Papa nuk u duk, si zakonisht, në ballkon, por doli në oborr për t’i përshëndetur besimtarët, të cilët sot ishin të pranishëm në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës, kushtuar kryesisht Ditës Botërore të Rinisë, Sidnei 2008. E tani presin 15 gushtin, kur Papa do të kremtojë Meshën Shenjte të solemnitetit të të Ngjiturit e Zojës së Bekuar në qiell.

Nga 12 deri më 15 shtator Benedikti XVI do të shtegtojë në Francë. Do të vizitojë Parisin e do të jetë në Lurdë me rastin e 150-vjetorit të Dukjeve të Virgjërës Mari para bareshës së vogël, Bernardetës Subiru.
Në program, takimi me presidentin Nikolas Sarkozi në Elizeo, me autoritetet e tjera të shtetit francez, me përfaqësues të Bashkësisë Hebraike, me të rinjtë e me Konferencën Ipeshkvnore të Francës.

 
“Të luftohet varfëria, të ndërtohet paqja” – kjo është tema e zgjedhur nga Benedikti XVI për Ditën e ardhshme botërore të Paqes 2009.
Ka për qëllim t’i nxisë përpjekjet për t’i dhënë përgjigje urgjente problemit të vështirë të varfërisë, që nuk është thjeshtë fatalitet, e as fenomen i cili varet vetëm nga faktorë teknikë ose ekonomikë. Shkandulli i varfërisë – lexohet në një Notë shpjeguese – tregon se sistemet e sotme të bashkëjetesës njerëzore, janë të papërshtatshme për realizimin e së mirës së përbashkët. Atëherë – nënvizohet në notë – përgjigja duhet kërkuar para së gjithash tek kthesa e zemrës së njeriut në rrugën e Hyjit të dashurisë.

 
Të enjten e kaluar, në audiencën private me kardinalin Zhoze Saraiva Martins, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, në selinë verore të Kastel Gandolfos, Benedikti XVI autorizoi Dikasterin vatikanas për të shpallur 14 dekrete, për 14 të Lum e Shërbëtorë të Hyjit, të cilëve u njihen mrekullitë, virtytet heroike ose martirizimi. Papa njohu edhe martirizimin e Don Françesko Gjovani Bonifacit, figura e të cilit na kujton menjëherë martirët tanë, çështja e lumnimit të të cilëve është në vijim e sipër.

Benedikti XVI, që e mori lajmin e lirimit të Ingrid Betankur pak orë pasi kishte arritur në Pallatin Apostolik të Kastel Gandolfos, shprehu kënaqësinë për përfundimin e lumtur të periudhës së gjatë të qëndrimit si peng, gjë që ngjall shpresa të reja për ardhmërinë e Kolumbisë. Ndërkaq Atë Çiro Benedetini, zevendës-drejtor i Sallës s Shtypit të Vatikanit, njoftoi se data e takimit të Benediktit XVI me Ingrid Betankur, nuk është caktuar akoma.

E ndërsa mbarë bota komentonte lajmin e gëzueshëm të lirimit të Betankur, ipeshkvijtë kolumbianë, të mbledhur këto ditë në asamblenë e 85–të plenare, me rastin e njëqindvjetorit të Konferencës ipeshkvnore të vendit, i drejtuan një thirrje grupit të Fark-ut, për lirimin e të gjitha pengjeve që janë akoma në duart e tyre. E pikërisht me rastin e këtij jubileu, Papa i drejtoi vendit latino-amerikan videomesazhin, për të cilin folëm në emisionet e kaluara, duke uruar të marrin fund një herë e mirë rrëmbimet e dhuna.

 
Pak ditë pas fillimit të Vitit kushtuar Shën Palit, Benedikti XVI nisi të mërkurën e kaluar, një cikël të ri katekizmi, kushtuar Apostullit të Popujve. Gjatë audiencës, mbajtur në Sallën e Palit VI në Vatikan, Papa e përqendroi reflektimin tek mjedisi në të cilin jetoi e veproi Shën Pali, duke ripohuar aktualitetin e kësaj figure “pothuajse të paimitueshme’. Figurë - kujtoi Papa – nga e cila të krishterët e kohëve tona kanë ende shumë për të mësuar.
Audienca e përgjithshme do të ndërpritet përkohësisht për shkak të Ditës Botërore të Rinisë së Sidneit. Do të rifillojë rregullisht që nga data 13 gusht e edhe lutja e Engjëllit të Tënzot në të dielat e solemnitetet e periudhës verore, do të kremtohet nga Pallati Apostolik i Kastel Gandolfos.

Benedikti XVI do të përurojë programin e Rai Uno-s për leximin e plotë të Biblës, duke nisur nga data 5 tetor. Është hera e parë – sipas njoftimit të drejtuesit të strukturës Rai-Vatikano, Gjuzepe De Karli, i cili paraqiti zyrtarisht programin- që Bibla mund të ndiqet e plotë nga ekrani i televizorit.
Papa do të lexojë, pasdite vonë, Kapitullin I të Librit të Zanafillës, që do të zgjatë një orë. Ciklin e leximeve do ta përfundojë sekretari i Shtetit të Shenjtërisë së Tij , kardinali Tarçizio Bertone, me Kapitullin e 22-të të Zbulesës, të shtunën, më 11 tetor.







All the contents on this site are copyrighted ©.