2008-07-05 10:07:02

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 14-të gjatë vitit kishtar ‘A’


(05.07.2008. RV)RealAudioMP3 Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të liturgjisë hyjnore të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 14-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.
Në leximet biblike të kësaj së diele të 14-të gjatë vitit kishtar, kthehet tema e dashurisë së Zotit për të fundmët, për ata njerëz që janë të varfër e të menjanuar. Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj diele pohon se Dëftimi i Zotit nuk është manifestim i pushtetit, por i afërsisë, besëlidhjes e solidaritetit me njeriun, e në mënyrë të veçantë me njeriun që është i fundit. Edhe paradoksi i krishterimit është prikërisht ky: shpëtimi i Zotit kalon përmes njerëzve që janë të fundmët, të varfër, të cilëve u është zbuluar misteri i mbretërisë së Zotit, mister që u fsheh para atyre që konsiderohen të dijshëm e të pushtetshëm.
Mu për këtë arsye lutja e dytë e meshës së kësaj së diele i kërkon Zotit përvujtërinë: “ O Zot, që i dëftohesh të vegjëlve…na bërë të varfër, të lirë e ngazëllues, sipas shembullit të Krishtit Birit tënd…që është zemër butë e i përvujtë”
Leximi i parë i kësaj së diele kumton solemnisht dëftimin e Mesisë në Jerusalem dhe dhuratën e paqes që Ai i sjell botës mbarë. Këtij dëftimi Mesianik i shtohen theksime e nënvizime të reja, që evokojnë profecinë e paqes në Izainë profet e figurën e shërbëtorit të vujatur: Mesia do të jetë i butë e i varfër e do të vihet në krye të një populli të varfërish.
Liria që jemi fituar në Krishtin, thotë leximi i dytë, është vepër e Shpirtit: Shpirti na bënë pjesëmarrës të jetës së Jezu Krishtit. Mirëpo, kësaj dhurate duhet t’i përgjigjet zgjedhja e përcaktimi jonë i përditshëm për të jetuar në përkim me hirin e Zotit, duke jetuar jo të dhanur pas epsheve të trupit por pas Shpirtit. Vetëm duke bërë të vdesin ‘veprat e trupit’ mund të jetojmë jetën e re që kemi marrë dhuratë prej Krishtit Zot.
Ungjilli i kësaj së diele përsërit fjalët e Jezusit që na thotë: “..ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur pre barrës së rëndë e unë do t’ju çlodhi”. Jezusi na paraqitet zemër butë e i përvujtë, nuk imponon ndonjë barrë që rëndon e shtyp, por vendoset përkrah nesh në udhën tonë për të na ndihmuar në orijentimin e cakut e për të na udhëhequr tek Ati Qiellor. Këtu mund ti dëgjoni leximet biblike të kësaj së diele dhe komentin………








All the contents on this site are copyrighted ©.