2008-07-05 14:43:27

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Gregor Barbarigo, kardinali i varfër".


(05.06.2008 RV)Disa herë Gregor Barbarigo, me veshjet e arnuara, palat e shqepura e pallton e dalë boje nga përdorimi i tepërt, krijon përshtypjen e njeriut që nuk ka gjë mbas shpirtit. Po ta shikonte ndonjë i huaj rrugëve të Padovës, sigurisht do ta mëshironte e do t’i jepte dy kacille për të blerë rrobe pakëz më të mira….
Po Gregori nuk pranon kurrë lëmoshë nga qytetarët. Pranon vetëm përshëndetjet plot nderim, sepse të gjithë e njohin imzot Barbarigon, kardinalin e Padovës. 'E meta' e tij më e madhe është bujaria. Kardinali e ka dorën të shpuar. Jep gjithë ç’ka, deri në atë masë, sa nuk i tepron gjë as për të blerë një palë petka të reja.
Gregori ka lindur në vitin 1625 në një familje fisnikësh venecianë. Që i vogël, me dëshirën e të jatit, u përgatit për karrierën diplomatike. Diplomacia është arti i drejtimit të marrëdhënieve me shtetet e huaja. Që në hapat e para në këtë art, ra aq shumë në sy për talentin e tij, saqë u emërua anëtar i Kolegjit të të Urtëve të Venedikut. Ishte një sukses i jashtëzakonshme për moshën e tij. Sapo i kishte mbushur të 25 vjetët.
Në vitin 1655 Gregori e braktis karierrën diplomatike, për të hyrë në shërbim të Kishës. Mbetet gjithnjë njeri i shkëlqyer: studion drejtësinë, duke arritur rezultatet më të larta e duke u specializuar në njohjen e ligjeve, për t’u emëruar, pastaj, ipeshkëv. Pak kohë më vonë, Papa Aleksandri VII e emëron kardinal të Bergamos e më pas, të Padovës, ku veprimtaria e tij shpërthen me një zell të paparë. Koncili i Trentit, i sapopërfunduar, i fton ipeshkvijtë të zbatojnë disa reforma, për të përmirësuar veprimtarinë e Kishës e Gregor Barbarigo impenjohet me fund në projektet e propozuara. Në radhë të parë, në përmirësimin e arsimit. Gjatë tridhjetë e tri vjetëve të veprimtarisë së tij në Padovë, numri i shkollave, nga 24 që ishte më parë, arrin në 350. Përveç kësaj, themelon një seminar, për të formuar meshtarët e ardhshëm, sipas porosisë së Koncilit. Është një vullkan i vërtetë idesh origjinale e moderne, për të pasuruar studimet e seminaristëve. Për shembull, përfshin në programin e seminarit, studimin e gjuhëve lindore1 (ebraishten, sirishten, kaldeishten, greqishten) sepse mund të ishin të nevojshme për të ndërtuar një urë ndërmjet Kishës katolike perëndimore e asaj Ortodokse lindore, që vijojnë të mos e njohin njëra-tjetrën. Ëndërron që një ditë meshtarët e të dyja Kishave të dialogojnë si vëllezër. Për të gjitha këto arsye, imzot Barbarigo admirohet nga të gjithë, pavarësisht nga pamja e tij prej varfanjaku. Pas dukjes prej njeriu të vobektë, fshihet zemra më e pasur e më bujare e Padovës, asokohe e… ndoshta ndoshta, edhe sot…

___

1 Kardinali Gregor Barbarigo themeloi në Padovë edhe Tipografinë e Seminarit, që shtypte libra në gjuhët lindore. Këtu, më 1685, pa dritën e shtypit “Cuneus Prophetarum de Christo Salvatore mundi et eius evangelica veritae”, vepër e Imzot Pjetër Bogdanit. Bogdani kishte studiuar ne Collegium Illyricum në Loreto dhe në Kolegjin e Propaganda Fides në Romë. Gjatë qëndrimit të tij ne Padovë, u ndihmua bujarisht nga kardinali Gregorio Barbarigo, i cili mendohet të ketë qenë dhe financuesi i librit te tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.