2008-07-04 17:44:30

Përfundoi, në Dar-es-Salam të Tanzanisë, asambleja e 6-të plenare e Federatës Biblike katolike.


(04.07.2008 RV)“Uroj që zemrat tuaja të udhëhiqen gjithnjë nga Shpirti Shenjt, përmes forcës bashkuese të Fjalës së Hyjit”: ky është një nga fragmentet më të forta të Letrës së Benediktit XVI drejtuar asamblesë së 7-të të Federatës biblike katolike, që u hap më 24 qershor në Dar-es-Salaam të Tanzanisë e përfundoi dje. Asambleja u mbyll me kremtimin e Meshës Shenjte, kryesuar nga ipeshkvi Vinçenco Palia, kryetar i Federatës Biblike, në praninë e kardinalit Polikarp Pengo, kryeipeshkëv i Dar-es-Salamit, e të një numri shumë të madh besimtarësh të dioqezës ku u zhvilluan punimet.
Imzot Vinçenco Palia, kryetar i Federatës Biblike Katolike, bën bilancin e rezultateve të asamblesë, në mikrofonin e Radios sonë:

Përgjigje: - Bilanci është shumë pozitiv, duke u nisur nga vendi ku u mbajt takimi. Ishte shumë e arsyeshme që mbledhja e të gjitha institucioneve të apostullimit biblik e përfaqësuesve të shumë konferencave ipeshkvnore, të mbahej në Afrikë, sepse të gjithë patën rastin të shikojnë me sytë e tyre përparimin që ka bërë, vitet e fundit, baritoria biblike në Kontinentin e Zi. Delegatët mbetën vërtetë të mrekulluar përballë gjallërisë së krishtërimit afrikan, që i ka rrënjët pikërisht në frymëzimin biblik.

Pyetje: - Cilat janë perspektivat për të ardhmen, duke pasur parasysh edhe sinodin për Afrikën, që do të mbahet më 2009?

 
Përgjigje: - Historia e kësaj Asambleje të shtatë plenare të Federatës, lidhet ngushtë me dy ngjarje të mëdha: Sinodin kushtuar Fjalës së Hyjit që do të mbahet në tetor - e atë të Afrikës, që do të mbahet vitin e ardhshëm. Titulli i asamblesë ishte pikërisht “Fjala e Hyjit, burim pajtimi, drejtësie e paqeje”. Në këtë takim të madh u bashkuan simbolikisht të dy sinodet, duke pasur parasysh se të dy lidhen me zbulimin e Fjalës së Hyjit, e cila shikohet si forcë historike, që i nxit burrat e gratë, jo vetëm në Afrikë, por në mbarë botën, të jenë tharm i pajtimit e i paqes. U theksua posaçërisht një aspekt: Kisha e, prej këndej, bashkësia e krishterë, është fushë veprimi, ose më mirë të themi, ndërmjetësuese për shndërrimin e botës, jo me mjete politike, e as ekonomike. Kisha e ndryshon botën duke u nisur nga shndërrimi i zemrave të njerëzve. Kemi bindjen se rizbulimi i forcës së Fjalës së Zotit nga ana e të gjitha kishave e të gjithë të krishterëve, i jep hov të ri gjithë jetës së Kishës. Sa më shumë që rizbulohet Fjala e Hyjit, aq më shumë kishat dhe të krishterët bëhen kripë e tokës e dritë e botës, tharm i një humanizmi të ri. E Afrika ka shumë nevojë për një tharm të tillë.
Një aspekt domethënës, që karakterizoi asamblenë tonë, ishte edhe perspektiva ekumenike. Në takim ishin të pranishëm, si vëzhgues, përfaqësuesit më të lartë protestantë të Shoqatës së bashkuar biblike, që pranë e pranë me Federatën biblike katolike, po impenjohen për përhapjen e Biblës.

 
Kujtojmë se Federata Biblike Katolike, që sot numron 327 anëtarë, nga 129 vende të ndryshme, u themelua nga Papa Pali VI në vitin 1969 me qëllim që, në përkim me Koncilin II të Vatikanit, t’ua lehtësojë njerëzve leximin dhe kuptimin e Shkrimit Shenjt.







All the contents on this site are copyrighted ©.