2008-07-04 17:43:31

Papa autorizon shpalljen e 14 dekreteve lidhur me mrekullitë, martirizimin e virtytet heroike të 14 të Lumëve e Shërbëtorëve të Hyjit.


(04.07.2008 RV)Dje, në audiencën private me kardinalin Zhoze Saraiva Martins, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, në selinë verore të Kastel Gandolfos, Benedikti XVI autorizoi Dikasterin vatikanas për të shpallur 14 dekrete, 3 nga të cilat kanë të bëjnë me mrekullitë e tre të Lumëve: Damian Jozef de Veuster (meshtar belg, që jetoi në gjysmën e dytë të ‘800-tës, rregulltar i Kongregatës së Zemrës së Krishtit e të Zojës së Bekuar); Bernard Tolomei (abat italian, themelues i Kongregatës së Shën Marisë së Malit të Ullinjve), i Urdhërit të Shën Benediktit, që jetoi ndërmjet viteve 1200 e 1300 dhe Nuno i Shën Marisë Alvarez Pereira (portugez, laik i përkushtuar i Urdhërit të Rregulltarëve të Malit të Karmelit), që jetoi ndërmjet viteve 1300-1400.
Ati i Shenjtë njohu edhe martirizimin e Don Françesko Gjovani Bonifacit, figura e të cilit na kujton menjëherë martirët tanë, çështja e lumnimit të të cilëve është në vijim e sipër. I lindur në Pirano të Istries, në vitin 1912, meshtari katolik u vra pranë Grisinjanës, më 11 shtator 1946, për shkak të urrejtjes kundër fesë, dhe u flak në një gropë të thellë karstike, që në gjuhën italiane quhet foiba. I shuguruar meshtar në vitin 1936 në Trieshtë, dom Bonifaci, 34 vjeç, u kap nga titistët në Vila Lardosi, u zhvesh, u pështy, u gjuajt me gurë, u ther me thika e pastaj u pushkatua. Sapo kishte përfunduar Lufta II Botërore, kohë kur në vendet satelite të Bashkimit Sovjetik, nisën arrestimet, internimet e ekzekutimet në masë. Në vitin 1946 në Jugosllavinë titiste, e edhe në anën tjetër të kufirit, në Shqipëri, u hapën gropa të shumta, të panjohura edhe sot e kësaj dite. Po kujtojmë vetëm disa nga figurat e klerit katolik shqiptar që më 1946 përfunduan tragjikisht, si dom Françesko Bonifaci:
Më 14 shkurt 1946, u pushkatua Atë Anton Harapi.
Më 25 qershor 1946, u torturua dhe u pushkatua, në moshën 50 vjeçe, Dom Alfons Tracki: bir i Breslaut, prift gjerman, më shqiptar se shqiptarët.
Dom Anton Zogaj, famullitar i Durrësit, sekretar i Imzot Prennushit, meshtar jashtëzakonisht i përgatitur në të gjitha drejtimet, u burgos e u torturua mizorisht. E lanë të mbyllur disa ditë në një banjo të qelbur, në sa priste ditën e pushkatimit: 31 dhjetorin e 1946-tës.
Dom Zef Maksen: meshtar gjerman, u pushkatua me 1946, duke shqiptuar fjalët: "Des i lumtun, tue mendue se do të kujtohem prej shqiptarëve si meshtár i fesë së Krishtit".
Në dhjetor 1946 u arrestua Dom Nikollë Deda. E torturuan aq, sa kur i sollën në qeli një meshtar tjetër e nuk e njohu ai, me një humor tragjik, i tha: "Mos harro se dikur kam pasë kenë Dom Nikolli".
Më 1946 u arrestua nga komunistët Atë Mati Prendushi. U dënua me vdekje, i akuzuar si tradhtar i Atdheut e u pushkatua më 11 mars 1948 te Zalli i Kirit.
U arrestua më 1946 edhe Atë Çiprjan Nika, me akuzën e fshehjes së armëve në kishën françeskane, armë të vendosura aty nga vetë sigurimi.
U pushkatua pa gjyq më 11 mars 1948.
Në tetor 1946 u kap Imzot Frano Gjini, me akuzën "agjent i Vatikanit" së cilës s'munguan t'i shtoheshin edhe akuza të tjera. Gjeti në qeli pjesën kryesore të sivëllezërve në meshtari.
Por atij, si zevendës-delegat, iu bë një trajtim i posaçëm: mbi trupin e tij komunistët eksperimentuan të gjitha llojet e torturave, për ta bindur ta shkëpuste Kishën katolike nga Selia e Shenjtë. Qëndroi si shenjtorët, derisa e pushkatuan më 11 mars 1948, duke ia këputur brohoritjen e fundit: "Rrnoftë Krishti mbret! Rrnoftë Shqipnia, edhe pa ne!".
Presin të gjithë të dalin një ditë nga gropat e njohura e të panjohura, për t’u lartuar në nderimet e lterit nga Kisha katolike, së cilës i shërbyen deri në pikën e fundit ë gjakut.
Ndërkaq, duke u rikthyer në Kastel Gandolfo, në përfundim, kujtojmë se Papa njohu edhe mrekullitë e virtytet heroike të disa shërbëtorëve të tjerë të Hyjit, ndërmjet të cilëve spikasin prindërit e Shën Terezës së Krishtit Fëmijë Ludovik Martin e Maria Zelia Guerin.







All the contents on this site are copyrighted ©.