2008-07-03 14:55:34

Përgëzimet e Atit të Shenjtë për lirimin e Betankur dhe 14 pengjeve të tjera.


(03.07.2008 RV)RealAudioMP3 Falënderoj Zotin dhe të gjithë njerëzit që u lutën për mua”. Zëri që dëgjuat ishte i Ingrid Betankur e cila, e lodhur dhe e emocionuar dukshëm, arriti mbrëmë në Bogota, pas lirimit. Sapo kishte kaluar ora 21 me orën evropiane, kur agjensitë e mbarë botës përhapen në të katër anët e Planeti lajmin e shumëpritur. Politikania franko-kolumbiane u rrëmbye gjashtë vjet më parë nga luftëtarët e Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë. Me të u liruan edhe 14 pengje të tjera. Ishte një lirim i papritur, që çuditi shumkënd.
Papa e mori lajmin e lirimit të Ingrid Betankur pak orë pasi kishte arritur në Pallatin Apostolik të Kastel Gandolfos, ku ka shkuar për të kaluar një pjesë të stinës së verës. Benedikti XVI shprehu kënaqësinë për përfundimin e lumtur të periudhës së gjatë të qëndrimit si peng, gjë që ngjall shpresa të reja për ardhmërinë e vendit, siç shprehet edhe drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Atë Federiko Lombardi, në mikrofonin tonë:

“Lajmi i lirimit të Betankur dhe të disa pengjeve të tjera, është natyrisht lajm që të mbush me gëzim e ne urojmë të mos jetë i vetmi, por të shikohet edhe si shenjë pozitive, të cilën do ta pasojnë ngjarje të tjera të kësaj natyre sepse, për fat të keq, të shumtë janë njerëzit që vijojnë të vuajnë, pas dhunës së rrëmbimit. E shpresojmë që të gjithë këta njerëz ta rifitojnë lirinë e që Kolumbia të rifillojë të shpresojë në paqëtimin e situatës, në kthimin e kushteve të një jete të çliruar nga dhuna e tmerrshme, e cila e trondit prej shumë kohe. Thirrja që Papa ka bërë shumë herë pikërisht për këto ndjete e që e përsëriti edhe në mesazhin drejtuar ipeshkvijve për njëqindvjetorin e Konferencës ipeshkvnore kolumbiane, ia arriti qëllimit në këtë fakt të parë, të rëndësishëm, por edhe të vogël e të kufizuar. Shpresojmë se në të ardhmen do të ketë ngjarje të reja të kësaj natyre, që do t’i sjellin paqen Kolumbisë”.

E ndërsa mbarë bota komenton lajmin e gëzueshëm të lirimit të Betankur, një thirrje e re, drejtuar grupit të Fark-ut, për lirimin e të gjitha pengjeve që janë akoma në duart e tyre, vjen nga ipeshkvijtë kolumbianë, të mbledhur këto ditë në asamblenë e 85–të plenare, me rastin e njëqindvjetorit të Konferencës ipeshkvnore të vendit. E pikërisht me këtë rast Papa i drejtoi vendit latino-amerikan videomesazhin, për të cilin folëm në emisionin e djeshëm, duke uruar të marrin fund një herë e mirë rrëmbimet e dhuna. Ipeshkvijtë e pritën me gëzim – shpjegohet në një notë – lirimin e 15 pengjeve, rrëmbyer nga Forcat e armatosura revolucionare të Kolumbisë dhe i kërkuan organizatës guerrilase t’i lirojnë edhe të burgosurit e tjerë.







All the contents on this site are copyrighted ©.