2008-07-03 17:23:32

Patriku i ri i Jeruzalemit, imzot Tual, pas dorëzimit të Palios: "E jetoj misionin, i sigurtë për ndihmën e Papës e të mbarë Kishës".


(03.07.2008 RV)Të dielën e kaluar ishte në Bazilikën e Vatikanit, në mes të një grupi të madh sivëllezërish, për të marrë nga Benedikti XVI Palion e shenjtë, që u jepet ipeshkvijve metropolitë të sapoemëruar. Por për imzot Fuad Tualin, Patrik i ri latin i Jeruzalemit, shenja e shkallës hjerarkike që mori nga Papa, është edhe shenjë e përgjegjësisë së madhe baritore, në një zonë ku equilibri shpirtëror e gjeopolitik është tepër i brishtë. Këtë e pohon edhe vetë Prelati në mikrofonin e Radio Vatikanit:

Përgjigje: - Pata në fillim një farë shqetësimi për emërimin tim si ipeshkëv-ndihmës i Jeruzalemit, duke njohur mirë situatën dramatike që jetohet atje e që nuk të lë të shpresosh shumë për të ardhmen. Por kohët e fundit, takimi me miqtë, të cilët i pata gjithnjë pranë në këto ditë feste, shpirtrat e bukur me të cilët u takova, lutjet, që iu bënë Zotit për mua, më siguruan se nuk jam vetëm në këtë situatë. Po shkoj, prandaj, për ta marrë mbi vete këtë përgjegjësi me gëzim, me shpresë. Gjatë ditëve që kalova në Romë, u takova me të gjithë eprorët e mi, duke përfshirë edhe Atin e Shenjtë, e kudo gjeta mbështetje, mikpritje, edhe nga besimtarët e nga miqtë. Kjo të jep guxim e, sidomos, sigurinë se ne nuk jemi vetëm. Mund të ecim përpara me vetëdijen qind për qind, të kufizimeve tona, por qind për qind edhe të forcës sonë, që vjen nga Hyji, nga lutjet e shumë e shumë njerëzve, të cilët janë pranë nesh në çaste të vështira.

Pyetje: - Misioni juaj ka përmasa kryesisht baritore, shpirtërore, por ndoshta ndoshta, edhe politike…

Përgjigje: - Po, ne kujdesemi për njeriun dhe është normale që politika të ndikojë mbi jetën e njeriut. Nga ana tjetër, kemi një pikë të fuqishme të përbashkët me politikanët: njeriun! Autoritetet civile, nga njëra anë, bëjnë gjithçka munden për t’i shërbyer njeriut, dinjitetit të tij, punës së tij, shëndetit e kështu me radhë, e ne, nga ana tjetër, kujdesemi si për jetën materiale, ashtu edhe për përmasën njerëzore, për lirinë e njeriut, për mbrojtjen e dinjitetit të tij, për jetën e tij shpirtërore. Ne, prijësit fetarë, së bashku me autoritetet civile, duhet të bëjmë shumë, të bashkëpunojmë e të koordinojmë përpjekjet për mirëqenien e njeriut, pavarësisht nga feja e tij, që mund të jetë ajo e krishterë, myslimane ose hebreje, sepse të gjithë jemi bij të një Hyji të vetëm e Jezusi vdiq e u ngjall për të na siguruar të gjithëve gëzimin e shëlbimit!

 
Të dielën e kaluar ishte në Bazilikën e Vatikanit, në mes të një grupi të madh sivëllezërish, për të marrë nga Benedikti XVI Palion e shenjtë, por tani imzot Tual është kthyer në Jeruzalem, pikërisht atje ku atentati i fundit vuri përsëri në rrezik armëpushimin në Rripin e Gazës dhe jetën e shumë njerëzve. Hamasi – sipas njoftimit të njërit nga udhëheqësit – i ka ndërprerë takimet për shkëmbimin e të burgosurve me Izraelin, i cili që prej dy vjetësh kërkon lirimin e rreshterit Gilad Shalit.
Ndërkaq bëhen përpjekje për të zbuluar shkaktarët e atentatit, që tronditi qendrën e Jeruzalemit ku dje, një burrë në timon të një buldozeri, u përplas pas një autobuzi të linjës, pasi vrau 5 vetë e plagosi 30 të tjerë.







All the contents on this site are copyrighted ©.