2008-07-03 17:07:54

Në audiencë tek Papa, governatori i përgjithshëm i ishujve Salomone. Në Plan të parë të bisedimeve, kremtimi i afërt i DBR-së.


(03.07.2008 RV)Benedikti XVI u takua sot paradite, në Pallatin Apostolik të Kastel Gandolfos, me governatorin e përgjithshëm të ishujve Salomone, Sir Nataniel Rahumaea Vaena, Gjatë bisedimit të përzemërt – njofton një notë e Sallës së Shtypit të Vatikanit - u fol kryesisht për situatën politike e shoqërore të vendit si dhe për kontributin e madh të Kishës katolike, posaçërisht në fushën e edukimit, të shëndetit e të zhvillimit të gjithanshëm të njeriut.
Sekretari i Vatikanit për marrëdhëniet me Shtetet, imzot Dominik Mambertì, në emër të Selisë së Shenjtë, falënderoi governatorin e përgjithshëm dhe autoritetet e arkipelagut të Oqeanit Paqësor, për ndihmën bujare që po u japin të rinjve, të cilët dëshirojnë të marrin pjesë në kremtimet e afërme të DBR-së në Sidnei, duke njohur, kështu, vlerën edukative të ngjarjes së madhe rinore.







All the contents on this site are copyrighted ©.