2008-07-03 17:10:30

Kastel Gandolfo e priti Papën në një atmosferë festive. Dëshmia e famullitarit të Shën Tomës së Vilanovës, dom Niedjuka.


(03.07.2008 RV) Benedikti XVI, që dje pasdite, është në Kastel Gandolfo, ku do të qëndrojë derisa të niset për në Australi, më 12 korrik, në takimin e madh rinor të Sidneit. Për pritjen që i bënë banorët dje, sapo arriti në Kastel Gandolfo, të ndjekim famullitarin e Famullisë Papnore të Shën Tomës së Vilanovës, dom Valdemar Niedjuka:

Përgjigje: - Bashkësia e Kastel Gandolfos e pret gjithnjë me gëzim Atin e Shenjtë; mund të themi se e pret padurim çdo vit ditën e ardhjes së Tij. E, si çdo vit, edhe dje bashkësia e Kastel Gandolfos ishte e tëra para Pallatit Apostolik, para Selisë së Atit të Shenjtë, për t’i uruar mirësardhjen, por edhe për të marrë prej tij bekimin e parë, pas arritjes në Kastel Gandolfo.

Pyetje: - Dje, pra, bënte vapë e madhe, e megjithatë, Ati i Shenjtë u ndalua një copë herë me besimtarët…

Përgjigje: - Po, dita ishte tepër e nxehtë, por shihej se Ati i Shenjtë qe shumë. i kënaqur. E kjo u pa që në përshëndetjet e para e në shkëmbimin e urimeve për pushimet verore. Papa arriti me helikopter e aty ku zbriti, dha edhe bekimin e parë. Pastaj arriti në Pallat e, këtë herë, për çudinë por edhe kënaqësinë e të gjithëve, nuk u duk, si zakonisht, në ballkon, por doli në oborr për t’i përshëndetur besimtarët e pranishëm në shesh. Edhe kjo ishte një gjë shumë e bukur, sepse njerëzit e ndjenë veten vërtetë pranë Atit të Shenjtë, që u dha edhe bekimin apostolik..
Presim, pastaj, Engjëllin e Tënzot të së dielës së ardhshme e sidomos, 15 gushtin, kur Papa do të kremtojë Meshën Shenjte të solemnitetit të të Ngjiturit e Zojës së Bekuar në qiell.







All the contents on this site are copyrighted ©.