2008-07-01 18:38:01

Vrasje barbare e një rregulltari salezian në Nepal. Dyshohet një grup terrorist. Dëshmia e ipeshkvit, Entoni Sharma.


(01.07.2008 RV)Për meshtarët që kryejnë misionin në Azi, është një viktimë e re; për Nepalin, viktima e parë. Mbrëmë u vra barbarisht meshtari salezian 62 vjeçar, Atë Xhon Prakash, drejtor i një shkolle në Sirsia, në zonën perëndimore të Morangut. Autorë të vrasjes, sipas hetimeve të para, duhet të jenë disa fanatikë, që veprojnë prej kohe në zonën e trazuar të Nepalit. Rrethanat e vrasjes nuk janë ende të qarta: meshtari është mbytyr nga shpërthimi i një bombe të flakur prej një grupi të armatosur, që ka lënë edhe trakte në vendin e vrasjes. Shpërthimi i fuqishëm dëmtoi rëndë edhe shtëpinë ku banonte meshtari, ndërtuar një vit më parë.
Atë Xhon Prakash, me origjinë nga Shteti indian i Keralasë, punonte në Nepal prej dhjetë vjetësh. Në çastin e sulmit, ishte së bashku me një salezian tjetër, që shpëtoi për mrekulli nga vdekja. Me sa duket, shkaku i vrasjes ka të bëjë me përpjekjen për të marrë para nga drejtori i shkollës, të cilit i është kërkuar dy herë një shumë e madhe të hollash.
Ipeshkvi i Nepalit, imzot Entoni Sharma, flet në mikrofonin e Radios sonë për meshtarin, që punonte prej dhjetë vjetësh në gjirin e vendasve Santals, të krishterë e jo, me një program shoqëror, të organizuar e të mbështetur nga Bashkimi Evropian:

Përgjigje: - A wonderful man…
Njeri i mrekullueshëm, me zemër të madhe, shumë bujar. Nuk mendonte kurrë për veten, por gjithnjë për të tjerët. Është kërcënuar disa herë, sepse Nepali banohet nga shumica indu, e këta fanatikë dëshirojnë që të krishterët e myslimanët të largohen nga vendi. Ne menduam se problemi ishte zgjidhur, sepse patëm biseduar me ta. Por, me sa duket, ata nuk u bindën dhe kryen këtë vrasje të shëmtuar.

Pyetje: - Mund të na e shpjegoni psenë e një sulmi të tillë kundër një meshtari katolik? Është çështje fetare, apo politike?
 Përgjigje: Well, now has been declared…
Tani në Nepal sapo u deklarua Shteti laik. Kushtetuta e re, që do të hartohet, do të jetë laike. Mbreti Gianendra, monark indu, nuk është më në fuqi, e kjo i ngacmon posaçërisht fanatikët indu, sepse deri tani Nepali ishte e vetmja mbretëri indu në botë: nuk i kanë më privilegjet që kishin më parë. I njëjti grup hodhi një bombë edhe gjatë një prej takimeve të lutjes, organizuar nga besimtarët myslimanë, jo shumë larg vendit ku u vra meshtari katolik. Në këtë rast mbetën të vrarë dy besimtarë myslimanë.







All the contents on this site are copyrighted ©.