108-vjetori i ditëlindjes së Atë Zef Valentinit (1900-1979), një jetë e tërë në shërbim
të popullit shqiptar.
(01.07.2008 RV)Veprimtaria e misionarëve
jezuitë në Shqipëri u përqendrua kryesisht në dy fusha: apostullim e kulturë. Në këto
dy fusha ata shkrinë pa kursim të gjitha energjitë e tyre shpirtërore, intelektuale,
morale, duke lënë pas gjurmë të pashlyeshme. Ndërmjet tyre, i paharrueshmi Atë Zef
Valentini, njeriu me jetë të lodhshme, jezuiti të cilit iu deshën shumë mund, djersë
e shqetësime, për të lënë pas vëllime e vëllime për Shqipërinë e shqiptarët. Lindi
në Padovë më 1 korrik 1900, por jetoi më shumë në Shkodër, ku njohu virtytet racore,
vlerat intelektuale e shpirtin patriotik të popullit. Këtej, krijoi një lidhje të
fortë e të sinqertë shpirtërore, e cila ia ushqeu e ia mbajti gjallë dëshirën fisnike
që të punonte për vendin e misionit. Edhe kur u largua nga Shqipëria, s’pushoi së
lypuri ndihma e s’u zhyturi ndër arkiva, në kërkim të dokumenteve të reja për historinë
e vendit, i cili e konsideronte të padëshirueshëm. Mbeti jashtë tij, por duke jetuar
e duke punuar përherë në një mjedis shqiptar. Miqtë e bashkëpunëtorët e tij qenë Ernest
Koliqi, Karl Gurakuqi, Martin Camaj…, me të cilët dha kontributin e vet të vlerësuem
e të vlerësueshëm për dobinë e kulturës shqiptare. I konsideruar si armik nga regjimi
komunist, i akuzuar si spijun i Vatikanit, i sulmuar me armën e tmerrshme të harresës,
Atë Valentini vijon të mbetet një nga figurat më të shquara në kulturën shqiptare.
E gjatë, lista e veprave që shkroi, duke nisur nga ‘Kolegja Saveriane ndër 50
vjetët e para”: ‘Biografi e Garcia Morenos”; përkthimi i ‘Polieucte’ të Kornejt e
‘ Sauli’ të Alfierit; “Studim mbi hakmarrjen historike të shqiptarëve’; ‘Kronologji
mbi historinë e Shqipërisë nga viti 313 e deri në shekullin XIII; ‘E drejta e komunitetit
në traditën juridike shqiptare”(1956), “Ligji i maleve shqiptare 1880-1932”(1969);
“E drejta juridike shqiptare”; “Akte shqiptaro-veneciane të shekujve XIV-XV”; Revista
“Letture” (Themeluar prej tij në vitin 1946 në Itali); “Shkodra dhe poeti i saj” (Kushtuar
Ernest Koliqit); ‘Fishta’ (studim për Gjergj Fishtën) etj, etj. Kujtojmë se vetëm
në revistën ‘Shêjzat” botoi mbi njëqind artikuj e studime, që prekin të gjitha fushat
e kulturës. Atë Zef Valentini nuk ishte shqiptar, por ndjehej shqiptar; e fliste
dhe e shkruante shqipen më mirë se një shqiptar dhe bëri për kulturën shqiptare, atë
që pak shqiptarë e kanë bërë. Për kontributin e madh që dha si njeri kulture e
si bari shpirtrash në Shqipëri, e kujtojmë sot me nderim të thellë, duke cituar fjalët
që tha për Të Papa Pali VI më 25 prill 1968, me rastin e festimit të 500-vjetorit
të vdekjes së Skënderbeut, në Romë: “Shqiptarë, duenie At Valentinin, se Ai ju
dashunon me zemër. Çmonie se Ai punon pa prâ, për t’ia ba të njohun botës vlerat shpirtnore
e artistike tueja. Ai asht i jueji, pse ia ka kushtue çashtjes suej menden e zemrën
e vet”.