2008-06-30 17:58:24

Intervistë e kardinalit Tarçizio Bertone pas kthimit nga Bjellorusia, ku u hapën rrugët për lindjen e marrëdhënive të reja Shtet-Kishë.


(30.06.2008 RV)RealAudioMP3 “Nuk mjafton të shembësh muret, për të qenë i lirë! Duhet të fitosh në radhë të parë, lirinë shpirtërore. E kjo mund të arrihet vetëm në se takohesh me vetjen e Krishtit, të Vërtetën e Hyjit”. Këtë mesazh i la Kishës bjelloruse kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, në përfundim të vizitës në Bjellorusi. Sekretari i Shtetit të Shenjtërisë së Tij u përshëndet me Kishën bjelloruse, duke kryesuar Meshën Shenjte në katedralen e Minskut dhe duke takuar me të rinjtë bjellorusë, menjëherë pasi bekoi gurin e parë të Kishës kushtuar Shën Gjon Pagëzuesit. U kthye në Romë, duke përfunduar me sukses të plotë vizitën pesëditore në vendin ish-sovjetik.
Për çastet më të rëndësishme të kësaj vizite, Hirësia e Tij flet në një intervistë dhënë Radios sonë si dhe gazetës vatikanase ‘L’Oservatore Romano’, duke theksuar kontributin e katolikëve bjellorusë për rindërtimin material e shpirtëror të vendit, që doli i shkatërruar ekonomikisht e shpirtërisht nga gërmadhat e komunizmit:

Përgjigje: - Katolikët në Bjellorusi janë pakicë, por kjo nuk i pengon aspak të kenë një gjallëri që veçantë: është një pakicë që e shpall publikisht e me entuziazëm të madh fenë e vet. Që e dëshmon besimin e rigjetur në Jezu Krishtin dhe e praktikon me zjarr fenë. Impenjimi i parë është edukimi fetar i breznive të reja, por jo më pak edhe riedukimi i brezit të vjetër, që u vu në provë të rëndë, u persekutua e shpesh edhe u flijua, për ta ruajtur fenë në rrethana tepër të vështira, i shkëputur nga Kisha universale. Pastaj katolikët kontribuojnë edhe përmes dëshmimit të vlerave, të cilat çmohen edhe nga shoqëria e, jo më pak, nga autoritet publike: vlerës së jetës, të familjes, të edukatës, kujdesit për shëndetin si dhe nismave të shumta me karakter solidar e shoqëror. Kujtojmë këtu edhe kujdesin për fëmijët e për familjet e tyre, duke pasur parasysh edhe pasojat e Çernobilit. E gjithë ky solidaritet, kjo bujari, nuk mund të mos vlerësohet nga shoqëria e nga vetë autoritetet.
[…]

Pyetje: - Pse i kushtohet vëmendje e dorës së parë edukimit të të rinjve?

Përgjigje: - Të rinjtë janë pjesa e zgjedhur – siç thoshte Dom Bosko – e popullit të Hyjit, e shoqërisë. Nuk duhet të harrojmë edhe vëmendjen e dorës së parë kushtuar rinisë nga ana e Papëve Gjon Pali II e Benedikti XVI. U takova me të rinjtë në një famulli saleziane. Dhanë për mua një shfaqje shumë të bukur, ku flitej për ndeshjen mes dritës dhe errësirës, për zvetënimin e të rinjve që nuk kanë fe as ideale e, prej këndej, për nevojën që të rinjtë të edukohen në fe, e jo vetëm këtu, por në të gjithë botën.
Gjithsesi, nuk duhen harruar edhe të moshurait, që kanë shumë më pak shpresa se të rinjtë, sepse janë zhgënjyer shumë herë. Prandaj nuk e kanë entuziazmin e të rinjve, që shikojnë plot shpresa drejt të ardhmes. Duhen mbështeur shpresat e tyre, nuk duhen zhgënjyer! Duhen ndihmuar për të ndërtuar një shoqëri që mbron idealet njerëzore, që përkon me planin e Hyjit, që i mban premtimet.

Pyetje: - Cila është figura që ju mbeti në kujtesë, ndërmjet mijëra fytyrave që patë, gjatë takimit me bjellorusët?

Përgjigje: - Them se më mbeti figura e një ‘plaku të madh’, e kardinalit të guximshëm e të paepur Kazimirez Sviatek. Por më mbetën në kujtesë edhe shumë figura të tjera, në një vend që të pret me bukë e kripë. Uroj, prandaj, që të mos i mungojë kurrë buka e jetës e kripa e urtisë, posaçërisht të rinjve, por edhe mbarë kombit! […]







All the contents on this site are copyrighted ©.