2008-06-30 18:02:48

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Pjetër di Beryl, njeriu i pushtetshëm në shërbim të Hyjit".


(30.06.2008 RV)RealAudioMP3 Kardinali Pjetër di Beryl është personalitet i shquar. Takohet ditë për ditë me mbretin Luigji XIII, me kardinalin Rishelië, me mbretëreshën-nënë, Marinë e Mediçëve, e cila udhëheq Këshillin mbretëror dhe me vëllaun e mbretit, Gastonin e Orleanit…
Por në se nga njëra anë kardinali duhet të merret me punët e mbretërisë, nga ana tjetër, merret edhe me punët e Hyjit, të cilat i interesojnë shumë më tepër.
Intrigat, grindjet e luftërat për pushtet në këtë periudhë tepër të trazuar të fillimit të shekullit XVII, gjatë të cilit vijuan ndeshjet fetare ndërmjet katolikëve e protestantëve, e lodhin, e mërzitin, e trishtojnë pa masë.
Në fillim të karrierës së tij, shumkush mendon se edhe ai vetë është ngatërruar në rrjetin e intrigave. E me të drejtë. Dyshimtarët nisen nga fakti se ai frekuenton sallonet e intelektualëve më të shquar të Parisit, ku takon gratë më të bukura e më të famshme. Ndër këto sallone është edhe ai i së kushërirës, zonjës Akarje. Ashtu si ajo, Pjetri ka një mendim të vetëm në kokë, që i është ngulur si gozhdë: t’i shërbejë Hyjit me lutje, zgjuarsi e jetë të ndershme. Të jetojë vetëm me Të e për Të. Kështu, kur Zonja Akarje i tregon se ka parë në ëndër Shën Terezën e Avilës, që i kërkoi ta shtrinte Urdhërin e Karmelit edhe në Francë e i lutet ta ndihmojë, Pjetri pranon menjëherë. Niset për në Spanjë e, pas shtatë muaj bisedimesh të vështira, ia del mbanesh të sjellë në Francë disa karmelitane, ndërmjet të cilave edhe atë, që Tereza e quante ‘mbretëresha e eproreve’, Anën e Jezu Krishtit. Që asokohe në Francë ngrihen 42 kuvende karmelitane
Po kjo nuk është vepra e vetme që realizoi. Duke parë suksesin e arritur nga protestantët, që ditën t’u përgjigjeshin shqetësimeve të njerëzve të kohës, Pjetri nisi të mendonte se meshtarët katolikë nuk e kishin përgatitjen e duhur. Duhet të formoheshin më mirë, për t’ua transmetuar fenë besmitarëve. Meshtari i papërgatitur nuk mund të jetë bindës, as i besueshëm. Prandaj më 1611 krijon Kongregatën e Oratorios, për të cilën hap disa shtëpi në të gjitha trevat e Francës. Në se dëgjon ç’thonë ata, që e patën fatin t’i kishin famullitarë, oratorinët qenë meshtarë të jashtëzakonshëm. Predikimet e tyre ishin të shkurtëra, të thjeshta e të kuptueshme. Për t’i bërë meshët sa më të këndshme, e pasuruan muzikën kishtare me këngë të reja. Prej këndej populli i Zotit nisi t’i thërriste ‘etërit e këngëve të bukura’. Organizonin edhe diskutime, në të cilat të gjithë mund të bënin pyetjet që u interesonin. Veprimatria e oratorinëve, të udhëhequr nga Pjetri, përfshihet në valën e përshpirtërisë, që karakterizoi shekullin XVII në Francë.
Pjetër di Beryl vdiq më 2 tetor 1629 në elter, ndërsa kremtonte Eukaristinë. Fjalët e fundit ishin për bashkësinë e tij, të cilën ia besoi Jezusit e Marisë!










All the contents on this site are copyrighted ©.