2008-06-29 18:09:49

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


(29.06.2008 RV)RealAudioMP3 Sot Kisha katolike kremtoi Solemnitetin e Shën Pjetrit e të Shën Palit, Apostuj, Pajtorë të Qytetit të Romës. Kujtojmë se trupi i Shën Pjetrit pushon në paqe në Bazilikën e Vatikanit, ndërsa trupi i Shën Palit, në Bazilikën Ostiense. U kremtua sot edhe Dita për bamirësinë e Papës, që njihet me emrin ‘Oboli i Shën Pjetrit.

Feja ka kërkesa të detyrueshme: na kërkon, në radhë të parë, t’i pranojmë me guxim vuajtjet e vështirësitë, që nuk mungojnë kurrë, si udhë që çon në jetën e amshuar. Këtë na kujtojnë, në liturgjinë e së hënës, Protomartirët apo Martirët e parë të Kishës Romake .

martën kremtohet festa e Shenjtorëve Juli e Aroni, martirë të Bretanjës dhe e Shën Aronit, vëllaut të Moisiut, kryeprift i Besëlidhjes së Vjetër. Na kujtojnë se pikërisht në kohën e provës, në zemrat e dishepujve, ashtu si në zemrat tona rizgjohet feja e ne, duke i lartuar sytë nga Krishti, lutemi me gjithë zemër: “Shpëtona, o Zot, pa Ty jemi të humbur!”.

Nga liturgjia e Shenjtorëve Bernardini, Otoni e Eutiki, martirë, që do të kremtohen të mërkurën, profeti na fton përsëri: “Kërkoni të mirën e jo të keqen!”, e na kujton se i krishteri i vërtetë e beson dhe e jeton, atë që kremton.

Të enjten do të përkujtohet Shën Toma Apostull, që na fton të reflektojmë mbi një nga argumetet më themelore të fesë sonë: “Apostujt e panë me sytë e tyre Zotin, prandaj e besuan; ne nuk e shohim, por e besojmë me të njëjtin përkushtim, prandaj Krishti na quan ‘të Lum’.

Shën Elizabeta e Portugalisë, që do të kremtohet të premten, na nxit të reflektojmë se kur ligështitë njerëzore të shtyjnë në mëkat, duhet kujtuar më shumë se kurrë takimi me Hyjin, që është Atë i mëshirshëm e burim i pashterrshëm i faljes, pajtimit e paqes.

Të shtunën është festa e Shën Andout Maria Zakaria, themelues i Barnabitëve, që na kujton se fjala e Zotit është fjalë e paqes. Bijtë dhe Bijat e Shëna Ndout: Barnabitët dhe Motrat Engjëllore, janë të pranishëm prej kohe edhe në trevat shqiptare.

Të dielën e ardhshme Kisha vijon Liturgjinë e Kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, duke kremtuar të dielën XIV të kësaj kohe.







All the contents on this site are copyrighted ©.