Palio është simbol i autoritetit të kryeipeshkvit metropolit, në bashkim me Kishën
e Romës.
(29.06.2008 RV)Kujtojmë se çdo vit, më 21 janar, në festën e Shën Anjezes,
sipas një tradite të lashtë, Papa bekon dy qingja, që i paraqiten në dy shporta të
veshura me kadife të verdhë, stolisur me lule të bardha, ngjyrat e Vatikanit. Leshi
i tyre përdoret për endjen e paliove të shenjta, të cilat bekohen nga Papa më 29 qershor,
për t'u vendosur, më pas, në një arkë të vogël prej argjendi të praruar pranë Varrit
të Shën Pjetrit e, që aty, mbi shpatullat e kryeipeshkvijve të rinj metropolitë, gjë
që shpreh lidhjen e ngushtë të ipeshkvijve me Selinë e Shën Pjetrit.hë, e gjër Shumë
e pasur është simbolika e palios - një fashë leshi e bardë 4-6 centimetra, mbi të
cilën spikasin pesë kryqe të qindisur me mëndafsh të zi, simbol i pesë plagëve të
Krishtit në kryq. Ajo vendoset mbi shpatulla duke u mbërthyer në kraharor, në shpinë
e në shpatullën e majtë me tri karfica të stolisura me gurë, që njihen me emrin aciculae.
Palio, që simbolizon delen e humbur, të kërkuar, të shpëtuar e të vënë përmbi
shpatullat e Bariut të Mirë, është shprehje liturgjike e nderimit dhe e detyrës që
papa u ngarkon ipeshkvijve metropolitë. Tre muaj pas shugurimit ose emërimit, ipeshkvi
metropolit duhet të marrë nga papa palion. Kjo traditë nisi që nga gjysma e shekullit
IX. Dorëzimi i palios bëhet në Romë nga kardinali i parë diakon ose jashtë Rome, në
selinë metropolitane, nga ipeshkvi i ngarkuar me këtë detyrë, pas meshës solemne e
pasi kryeipeshkvi metropolit ka bërë betimin për besnikëri. Metropoliti e vë palion
vetëm në meshët pontifikale të kishës së tij ose të krahinës së tij në ditët e përcaktuara
nga Pontifikali Romak, në festën e Zojës së Papërlyer e të Shën Jozefit, shtuar nga
papa Leoni XIII, në rastet e shugurimeve meshtarake ose ipeshkvnore etj. Ka karakter
personal e nuk mund t’i dorëzohet asnjë njeriu tjetër. Në se kryeipeshkvi transferohet
në një seli tjetër metropolitane, duhet të kërkojë një palio të re. Vetëm Papa ka
të drejtë ta mbajë gjatë meshëve solemne e kudo. Për herë të parë palio nisi të
përdorej aty nga gjysma e shekullit V. E shohim këtë në fildishin e famshëm të Trevirit,
në një procesion me relike, e edhe më qartë në figurën e Ipeshkvit Masimiani, në mozaikun
e Shën Vitales të Ravenës (Itali), realizuar aty nga gjysma e shekullit VI.