2008-06-29 18:05:14

Gjatë Meshës në Shën Pjetër për festën e Pajtorëve të Romës, Benedikti XVI, së bashku me Bartolomeun I, rikujtojnë me frymë ekumenizmi, dymijëvjetorin e lindjes së Shën Palit.


(29.06.2008 RV)RealAudioMP3 Në solemnitetin e sotëm të Shenjtorëve Pjetër e Pal, pajtorë të qytetit të Romës, sivjet Kisha universale përkujtoi dymijëvjetorin e lindjes së Apostullit të Popujve. Përkrah me Patrikun Ekumenik, Bartolomeun I, Benedikti XVI kryesoi sot paradite Meshën Shenjte në Bazilikën e Vatikanit, duke u vënë, sipas traditës së festës, Palion, ipeshkvijve të rinj, të emëruar këtë vit.
Në Engjëllin e Tënzot, Papa u lut për Vitin kushtuar Shën Palit – që u hap dje - për ungjillëzimin, për bashkimin në Kishë dhe për unitetin e plotë të gjithë të krishterëve.
Benedikti XVI e Bartolomeu I sot kremtuan së bashku, për të nderuar kujtimin e Shenjtorëve Pajtorë të Romës, pasi u takuan dje paradite në Vatikan, ndërsa pasdite hapën së bashku, Vitin kushtuar Shën Palit, në Bazilikën e Apostullit të Popujve jashtë Mureve. Me këtë frymë të theksuar ekumenike, që ngjall shpresa të reja për bashkimin e plotë të gjithë të krishterëve, Papa e priti Patrikun ortodoks në tremen e Bazilikës, ku përveç delegacionit të Kishës së Kostandinopojës, ishin të pranishëm edhe përfaqësues të kishave të krishtera e të bashkësive të tjera kishtare:
“Ju drejtoj përshëndetjen time të përzemërt, ndërsa shpreh kënaqësinë që më krijohet përsëri mundësia e lume të shkëmbej me ju puthjen e paqes, me shpresën e përbashkët që të afrohet dita e ‘unitatis redintegratio”, dita e bashkimit tonë të plotë!”.
Pikërisht këtë puthje erdhëm të shkëmbejnë me Ju, Shenjtëri – u përgjigj Bartolomeu I gjatë homelisë së tij, që i parapriu asaj të Benediktit XVI – duke nënvizuar se ky gjest shpreh ‘dëshirën e flaktë të Krishtit e dashurinë, që i afron me njëri-tjetrin. Më pas Patriku ekumenik nënvizoi se dialogu teologjik në fe, vërtetësi e dashuri ndërmjet dy Kishave, për virtyt të ndihmës hyjnore, ecën përpara, duke i kapërcyer vështirësitë, që vijojnë ta pengojnë e problematikat e njohura nga të gjithë”.
“Dëshirojmë vërtetë e lutemi shumë për këtë; që pengesat të kapërcehen e problemet të zgjidhen sa më shpejt që të jetë e mundur, për të arritur në përmbushjen e dëshirës përfundimtare, për lumni të Hyjit. E dimë mirë se kjo është edhe dëshira Juaj, ashtu si jemi të sigurtë se Shenjtëria Juaj do të bëjë gjithçka është e mundur, duke punuar personalisht, e edhe me ndihmën e bashkëpunëtorëve tuaj të ndritur, për ta sheshuar, në dashtë Zoti, plotësisht udhën, drejt përfundimit pozitiv të punimeve të Dialogut”.
Më pas Patriku Bartolomeu I premtoi se do ta kujtojë posaçërisht në lutje Benediktin XVI gjatë shtegtimit të shenjtë që do të bëjë Kisha e Kostandinopojës në Vitin kushtuar Shën Palit.
Benedikti XVI e dëgjoi me zemër të hapur ‘Vëllaun e dashur në Hyjin’, duke i ftuar të gjithë, gjatë homelisë, të rikujtojnë Apostujt Pjetër e Pal e martirizimin e tyre, e duke nënvizuar se gjaku i martirëve nuk kërkon kurrë hakmarrje, por pajtim. Gjaku i martirëve, i derdhur për Krishtin, bëhet për ne forcë dashurie, që fiton mbi urrejtjen e mbi dhunën.
Duke kujtuar shkurtimisht jetën e Shën Palit e të Shën Pjetrit, Papa u ndal sidomos tek ardhja e tyre në Qytetin e Amshuar, në rastin e Palit, për t’ua predikuar Ungjillin të gjithë popujve e për të themeluar Kishën katolike universale në Romë “vend takimi në një fe të vetme”, që mund ta shohë mbarë bota.
Në rastin e Pjetrit, për të krijuar bashkimin e Kishës së mbarë popujve, që Kisha të mos identifikohet kurrë me një komb të vetëm, me një kulturë ose me një shtet të vetëm, por të jetë përgjithmonë e jetës “Kisha e të gjithëve”.
Një Kishë që – nënvizoi Ati i Shenjtë – ta bashkonte njerëzimin përtej kufijve e, në mes të përçarjeve të kësaj bote, ta bënte të pranishme paqen e Hyjit, forcën pajtuese të dashurisë së Tij:
“Në sajë të teknikës, që është njëlloj kudo, në sajë të rrjetit botëror të informacionit, si dhe në sajë të lidhjes së interesave të përbashkëta, në botën e sotme ekzistojnë mënyra të reja bashkimi, ndonëse po këto mënyra mund të shkaktojnë edhe kundërvënie të reja e t’i japin një hov të ri edhe atyre të vjetrave. Në mes të këtij uniteti të jashtëm, të bazuar mbi sende materiale, kemi shumë më tepër nevojë për unitetin shpirtëror, që buron nga paqja e Hyjit – unitet i të gjithë atyre, të cilët u bën vëllezër e motra në Jezu Krishtin. Ky është edhe misioni i përhershëm i Pjetrit e edhe detyra e posaçme e Kishës së Romës”.
Tema e bashkimit u theksua në mënyrë të veçantë edhe gjatë ritit tradicional të Palios, që Papa ua vuri mbi supe 41 ipeshkvijve, ndërsa dy prej tyre do ta marrin në selitë e veta ipeshkvnore. Kujtojmë se Palio është një stolë e bardhë leshi, e qindisur me kryqe të vogla, simbol i grigjës së Krishtit. Simbolizon delen e humbur, të kërkuar, të shpëtuar e të vënë përmbi shpatullat e Bariut të Mirë, dmth mbarë njerëzimin. Është gjithashtu shprehje liturgjike e nderimit dhe e detyrës që Papa u ngarkon ipeshkvijve metropolitë.
Palio – u kujtoi Papa ipeshkvijve – është simbol i dashurisë sonë për Krishtin, Bariun e Mirë e, së bashku me Të, i dashurisë për njerëzit që e kërkojnë, që bëjnë shumë pyetje, për njerëzit e sigurtë në vetvete e për të përvujtët, për të vegjlit e të mëdhenjtë. Por, nuk duhet harruar, është edhe shenjë e kolegjialitetit të ipeshkvijve:
“Askush nuk është bari vetëm për vetëm. Jemi pasardhës të Apostujve në sajë të shkrirjes në një trup të vetëm, përmes të cilit vijon bashkimi i Apostujve. Nuk mund të kuptohet Bariu, pa bashkimin, sepse grigja është një e vetme, Kisha e vetme e Jezu Krishtit. E, së fundi, kjo na çon edhe tek bashkimi me Pjetrin e me pasardhësin e tij, si garanci e unitetit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.