2008-06-29 18:08:02

Atë Federiko Lombardi: në Zimbabve duhet respektuar liria


(29.06.2008 RV)RealAudioMP3 Atmosfera e shqetësuar elektorale, që ndjehet fort këto ditë në Zimbabve, përveçse nga Kisha e nga Shteti afrikan, ndiqet me vëmendje të madhe edhe nga Selia e Shenjtë. Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi ndalet sot në skenën e vendit afrikan, me disa reflektime, të frymëzuara nga fjalët e Benediktit XVI kushtuar Afrikës, me vlerë për të gjitha kombet ku ka probleme të ngjashme:

“Pa drejtësi, pa luftë kundër çdo forme të korrupsionit, pa respektim të regullave të së drejtës, nuk mund të sigurohet paqja e vërtetë dhe është e qartë se nënshtetasit nuk do t’u besojnë lehtë udhëheqësve; veç kësaj, pa respektimin e lirisë së çdo individi, nuk mund të ketë paqe”. Janë fjalët që tha Benedikti XVI në pritjen e ambasadorit të ri të Gabonit, duke iu drejtuar njëkohësisht të gjitha autoriteteve të Kontinentit afrikan. E mendimi shkoi menjëherë në Zimbabve, që jeton periudhën dramatike të zgjedhjeve presidenciale, të cilat zhvillohen në atmosferën e papranueshme të dhunës e të frikësimit. Shumë zëra lartohen për ta denoncuar këtë situatë. Ipeshkvijtë katolikë të Jugut të Afrikës deklarojnë se këto zgjedhje janë mashtrim juridik dhe nënvizojnë se ‘situata e vajtueshme e dhunës, urisë dhe pasigurisë mund të çojë në një krizë humanitare, që rrezikon të shtrihet në të gjithë zonën jugafrikane”.
Zimbabve kishte një bujqësi e një ekonomi që e lakmonin të gjitha vendet e tjera të Afrikës; mund të ishte në udhë të mbarë zhvillimi; tani ndodhet në një situatë dramatike, përgjegjësia e së cilës në radhë të parë bie mbi qeverinë e vendit. Papa në Kombet e Bashkuara vuri theksin mbi ‘përgjegjësinë për të mbrojtur’ e cila i takon bashkësisë ndërkombëtare, kur një popull braktiset në duart e një pushteti, që nuk është i aftë të punojë për të mirën e përbashkët. Ky parim kujtohet nga Këshilli ekumenik i Kishave në rastin konkret të Zimbabves. Po shikojmë një kapitull të ri të dramës të Afrikës. A do të dimë të marrim, më në fund, vendimin e duhur për t’i ndihmuar afrikanët ta përballojnë me sukses?".







All the contents on this site are copyrighted ©.