2008-06-29 18:14:55

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Françesku i Sales i fton të gjithë të ecin në rrugën e shenjtërisë".


(29.06.2008 RV)RealAudioMP3 Mbi kalë a mbi shpinë të mushkës, nëpër shtigje të thepisura malore, rrethuar nga gremina të frikshme, Françesku i Sales i bie kryq e tërthor zonës franceze të Savojës. Ndërsa me karrocë udhëton vetëm kur niset nga Anesì për në Paris. Ç’mundim! Sa kohë e humbur! Kohë e humbur? Jo, në këtë rast Françesku nuk e humbet kurrë kohën… mediton e i lutet Zotit t’i japë forcën e nevojshme fizike për ta çuar deri në fund misionin e tij: ungjillëzimin e popullsive, që tundohen të kalojnë në protestantizëm. I kërkon Krishtit të vërë në gojën e tij fjalët, që duhet të përdorë për të prekur zemrat. Françesku ka aftësi të bisedojë me gjithkënd. E di se kush dëshiron që ta kuptojnë, nuk duhet t’ia imponojë tjetrit mendimet e veta, por ta lërë të arrijë vetë në përfundimin e dëshiruar. Kur predikon, Françesku nuk përdor kurrë shprehje të ndërlikuara: fjalët e vështira ua lë teologëve e profesorëve të Sorbonës. Mjaftohet t’u tregojë atyre, që e dëgjojnë se jeta e përditshme mund të kthehet në lutje… dhe ia arrin qëllimit. Tërheq vëmendjen e shumë laikëve, që i kërkojnë vazhdimisht këshilla.
Ndërmjet dëgjuesve më të rregullt të Françeskut të Sales, është Zonja de Sharmuasì, së cilës meshtari, tashmë i shuguruar ipeshkëv, i shkruan rregullisht, duke i dhënë këshilla të çmuara. Letrat e tij bëhen gjithnjë më të gjata e Zonja de Sharmuasì vijon të marrë traktate të vërteta mbi argumente të ndryshme fetare. Tepër të çmuara këto këshilla! Zonja e devoçme nuk mund t’i mbajë vetëm për vete. Prandaj nis t’ua lexojë edhe njerëzve të tjerë, që të mund të përfitojnë prej tyre. E shumë shpejt lexuesit i kërkojnë ipeshkvit t’i përmbledhë në një libër.
Kështu Françesku i Sales nis të shkruajë librin “ Hyrje në jetën e devoçme”, të cilin e përfundon më 8 gusht 1609. Edhe mënyra e tij e të shkruarit është e thjeshtë e e saktë, ashtu si predikimet e tij. Nuk ia imponon kurrë lexuesit dijet e veta të pashterrshme e autoritetin e tij të padiskutueshëm, por vihet në të njëjtin nivel edhe me lexuesin më të thjeshtë. Për ta bërë tekstin më të të gjallë e më të rrjedhshëm, përdor figura të frymëzuara nga jeta e përditshme.Sapo del, libri rrëmbehet menjëherë! Vepra ka një sukses të merituar. E kjo, sepse shquhet për origjinalitetin e saj. Shenjti i ardhshëm u propozon laikëve një jetë të krishterë, që përshkohet e tëra nga lutja dhe nga dialogu me Hyjin. Zotit mund t’i drejtohesh në çdo rrethanë, në çdo vend. Libri i Shën Françeskut u përcjell besimtarëve mesazhin e ri: të gjithë janë të thirrur të ecin në rrugën e shenjtërisë!







All the contents on this site are copyrighted ©.