2008-06-28 19:20:14

Shën Pali: Himn për dashurinë


(28.06.2008 RV)Nga letra e parë e apostullit Pal dejtuar Korintasve, ( 13,1-13)

Dhe ja, po ju deftoj më të shkëlqyeshmen udhë!


Po t’i folja gjuhët e njerëzve e të engjëjve,
por të mos kisha dashurinë,
do të isha porsi bronzi që kumbon
e porsi cimbali që tingëllon.
Po ta kisha dhuratën e profecisë
e t’i dija të gjitha misteret
e të gjitha dituritë;
po ta kisha edhe fenë e plotë,
me të cilën të mund t’u shdërroja vend maleve,
por po të më mungonte dashuria,
s’do të isha asgjë!
Po ta ndaja lëmoshë mbarë pasurinë time
dhe po ta jepja trupin tim të digjej,
por, po të më mungonte dashuria,
nuk do të më vlente asgjë!
Dashuria është zemërgjërë,
është e dhimbshme, dashuria,
nuk ka smirë,
nuk mbahet në të madh,
nuk krenohet
nuk është e panjerëzishme,
nuk kërkon interesin e vet,
nuk hidhërohet,
nuk e mban mend të keqen,
nuk i kënaqet padrejtësisë,
por i gëzohet të vërtetës.
Arsyeton gjithçka,
beson gjithçka,
shpreson gjithçka,
duron gjithçka.
Dashuria nuk mbaron kurrë.
Profecitë mbarojnë,
gjuhët shuajnë,
njohuritë marrin fund.
Sepse njohuria jonë është e kufizuar
dhe e kufizuar është profecia jonë.
Por, kur të arrijë përsosmëria,
çka është e kufizuar do të marrë fund.
Kur isha fëmijë,
folja si fëmijë,
mendoja si fëmijë,
arsyetoja si fëmijë.
Kur u bëra njeri i pjekur,
flaka çka i përket fëmijërisë.
Vërtet, tani shikojmë si në pasqyrë e në
mënyrë të errët,
por atëherë do të shohim faqe–faqas!
Tani njohuria ime është e kufizuar,
atëherë do të njoh plotësisht,
sikurse jam i njohur.
Tani, veç, mbetet feja, shpresa e dashuria
-këto të tria-
Porse më e madhja ndër to është dashuria.


Nga ‘Bibla’, përkthyer në gjuhën zyrtare shqipe prej monsinjor Simon Filipaj

 
(Prej letrës së parë të Shën Palit Apostull drejtue Korintasve: 12, 31-13, 13)


Vëllazën, synoni të kapeni në karizmat ma të mëdhatë!
E unë po ju diftoj rrugën ma të mirën e të gjithave.
Edhe po të folshem gjuhët e njerëzve e të engjujve,
por po të mos kishem dashtëninë,
kishem me kenë si një bronx që kumbon,
si një çembal që tingëllon.
E po të kishem dhantinë e profecive
e po të njihshem tana msheftësitë e tana ditunitë,
e po të kishem plotninë e fesë
sa me luejtë malet prej një vendi në tjetrin,
por mos të kishem dashtëninë, s’kishem me kenë kurgja.
E edhe po të shpërndajshem të tana pasunitë e mia ndër të tjerë
e po të epshem deri trupin tem me u ndezë flakë,
por mos të kishem dashtëninë,
s’kishem me vlejtë asgja.
Dashtënia asht e durueshme,
asht e mirë dashtënia;
nuk asht smirzezë dashtënia,
nuk mburret, nuk fryhet, nuk mungon në respekt,
nuk kërkon levertinë e vet,
nuk idhnohet,
nuk e mban në mend të keqen që i kanë bâ,
nuk gëzohet për padrejtësí,
por kënaqet për të vërtetën.
Gjithçka mbulon, gjithçka beson, gjithçka shpreson, gjithçka duron.
Dashtënia s’ka me pasë kurr mbarim.
Profecitë kanë me u zhdukë;
dhantia e gjuhëve ka me mê e dija ka me u shue.
Njohunia jonë asht e mangët
dhe e papërsosun asht profecia jonë.
Por kur ka me ardhë çka asht e përkryeme,
atëbotë çka asht e papërkryeme ka me u zhdukë.
Kur unë ishem fëmijë, flitshem porsi fëmijë,
mendojshem porsi fëmijë,
arsyetojshem porsi fëmijë.
Por, si u burrënova, çka ishte fëminore e braktisa.
Tash për tash shohim porsi më një pasqyrë,
në mënyrë të turbullt;
por atëherë kemi për të pá fëtyrë për fëtyrë.
Tashti njoh në mënyrë të papërsosun,
por atëherë kam për të njohtë përsosmënisht,
ashtu si kam me kenë njohtë edhe unë.
Këndej, tri janë sendet që mbeten:
Feja, shpresa e dashtënia:
por ma e madhja ndër të gjitha këto
asht dashtënia…


Nga ‘Bibla’ e përkthyer në dialektin gegë, prej atë Daniel Gjeçajt ofm







All the contents on this site are copyrighted ©.