2008-06-28 19:19:36

Papa, duke hapur Vitin kushtuar Shën Palit: “Në një botë, ku sundon gënjeshtra, e vërteta paguhet me vuajtje”.


(28.06.2008 RV)RealAudioMP3 Sot, natën e solemnitetit të Shenjtorëve Apostuj Pjetër e Pal, Benedikti XVI kryesoi, duke nisur nga ora 18. 00, në bazilikën romake të Shën Palit jashtë Mureve, kremtimin e Lutjeve të para mbrëmësore, me rastin e hapjes së Vitit Paolin. Në kremtim mori pjesë Patriku ortodoks ekumenik, Bartolomeu I, si dhe përfaqësues të Kishave e të bashkësive të tjera të krishtera.
Në fillim të kremtimit, Ati i Shenjtë dhe Patriku Ekumenik i prinë procesionit, që përshkoi Bazilikën madhështore, për të arritur tek shtatorja e Shën Palit, ku Ati i Shenjtë ndezi qiriun e madh të Solemnitetit e, më pas filloi, kremtimin e Mbrëmësoreve, duke përshëndetur përfaqësuesit e Kishave e të Bashkësive kishtare të Lindjes e të Perëndimit dhe shtegtarët e shumtë, ardhur me këtë rast nga Roma e nga Bota:
“Hiri e paqja e Hyjit, Atit tonë,
dhe e Zotit tonë Jezu Krishtit,
qofshin me ju të gjithë!”.
Me këto fjalë të Shën Palit – vijoi Ati i Shenjtë – i drejtohem në mënyrë të posaçme :

Vëllaut të shumëdashur, Bartolomeut I,
që sjell mes nesh praninë
e bashkësive të lashta të krishtera,
të themeluara e të ungjillëzuara nga Shën Pali.
E kapërcyem së bashku ‘Portën paoline’
të kësaj bazilike zëmadhe të Shën Palit në rrugën Ostiense,
për t’i hapur udhën varganit të gjatë të shtegtarëve që,
këtu e në vise të tjera të botës, do të përkujtojnë
dymijëvjetorin e lindjes
së Apostullit të madh të Popujve, Palit të Tarsit.

Drita e Ungjillit dhe e fesë që përhapi
me fjalën e me letrat e tij
nga Qyteti i Shenjtë i Jeruzalemit
deri në kufijtë e Perandorisë Romake,
arriti deri tek ne e vijon të japë fryte.

Me lutjen e Mbrëmësoreve bashkohemi me gjithë Kishën
që, në Apostujt Pjetër e Pal
kremton e njeh dëshmitarët e parë të ngjalljes së Krishtit,
gurët e themelit të popullit të Hyjit,
të cilët vijojnë shtegtimin në udhët e botës e të historisë.
Në homelinë e kremtimit, Ati i Shenjtë i dha përgjigje pyetjes: “Kush ishte Pali?” duke u ndaluar në ngjarjet kryesore të jetës së Apostullit të Popujve, për të arritur në ditët tona e për të shpjeguar kuptimin e këtij viti kushtuar Shën Palit, të Portës Paoline, që Papa e Patriku Bartolomeu I e kapërcyen së bashku si dhe të “Pishtarit Paolin’’- dmth dritës që do të rrijë e ndezur gjatë gjithë këtij vitit.
Nuk jemi mbledhur këtu për të reflektuar mbi një histori të së kaluarës - shpjegoi Papa – Pali dëshiron të flasë me ne- sot!”.
E prandaj nuk pyesim vetëm ‘Kush ishte Shën Pali?’ por sidomos ‘Kush është Shën Pali?’, ç’dëshiron t’i thotë secilit nga ne ai, që vijon të na kujtojë: “Jetoj në fenë e Birit të Hyjit, që më deshi e dhuroi vetveten për mua”. (Gal 2, 20). Feja e tij është dashuri për Jezu Krishtin, dashuri që e trondit deri në thelb të zemrës dhe e shndërron – nënvizoi Papa – e në vijim, duke kujtuar se Pali paraqitet si njeri luftarak, që di ta vringëllojë shpatën e fjalës, theksoi se Apostulli nuk e kërkoi kurrë harmoninë e përciptë. E vërteta për të ishte tepër e madhe, prandaj nuk mund ta flijonte kurrë për hir të suksesit të jashtëm. E vërteta që kishte njohur në takimin me të Ngjallurin, meritonte të mbrohej edhe me luftë, me persekutim, me vuajtje. Prej dashurisë së Krishtit buroi edhe dëshira për t’ua transmetuar të tjerëve këtë dashuri. Të gjitha konceptet që përdori Pali gjatë kumtimit të tij mund të kuptohen vetëm duke u nisur nga kjo bazë – tha Papa - e në vijim shpjegoi fjalën-kyçe: liri, duke theksuar se:
Kush e do Jezusin, ashtu si e deshi Pali, mund të bëjë gjithçka dëshiron, sepse dashuria e tij bashkohet me vullnetin e Krishtit e kështu, me vullnetin e Hyjit”.
Duke u ndalur gjatë tek ngjarja kryesore e jetës së Saulit të Tarsit, i cili kur takohet me Krishtin shndërrohet nga persekutues i Jezusit, në ndjekësin më besnik të Tij, Papa rikujtoi pyetjen që i drejton Sauli Krishtit “Kush je ti, o Zot?”, dhe përgjigjen “Unë jam Jezusi, që ti po e persekuton”, për të shpjeguar se me këtë përgjigje Jezusi bëhet një subjekt i vetëm me Kishën. Prej këndej Benedikti XVI theksoi se kjo përgjigje përmban gjithë doktrinën e Kishës si Korp i Krishtit, i cili nuk u ngjit në qiell, duke lënë këtu poshtë një aradhe ndjekësish, që ta çojë përpara çështjen e tij:
“Kisha nuk është shoqatë, që promovon një farë kauze. Ajo nuk ka të bëjë me një kauzë. Ka të bëjë me vetjen e Jezusit i cili, edhe si i Ngjallur, mbeti ‘korp e gjak’, që Krishti vijon të na e dhurojë e të bëjë nga ne, Korpin e vet”- shpjegoi Ati i Shenjtë, duke nënvizuar, në vijim, urgjencën e bashkimit të të krishterëve.
Duke kujtuar se Palit iu desh të vuajë shumë për Krishtin e se edhe vetë Krishti na shëlboi përmes mundimeve të veta, Benedikti XVI i lartoi një himn të vërtetë dashurisë për Krishtin, e vetmja që e bën jetën e njeriut të madhe, të pjekur, të vërtetë:
“Në një botë, ku gënjeshtra është e fuqishme, e vërteta paguhet gjithnjë me vuajtje. Kush dëshiron t’i dredhojë vuajtjes, t’i rrijë larg, i rri larg vetë jetës e madhështisë së saj; nuk mund të jetë shërbëtor i së vërtetës e, prej këndej, as shërbëtor i fesë. Nuk ka dashuri, pa vuajtje – pa vuajtjen e mohimit të vetvetes, të shndërrimit, të spastrimit të vetvetes, për hir të lirisë. Atje ku nuk ka asgjë, për të cilën ia vlen të vuash, vetë jeta e humbet vlerën e vet. Eukaristia, qendër e jetës sonë të krishterë – bazohet mbi flijimin e Krishtit për ne, lind nga vuajtja e dashurisë, që arriti kulmin e vet në Kryq. Ne jetojmë nga kjo dashuri që na dhurohet”.
Kush është Shën Pali? Homelia e Atit të Shenjtë iu përgjigj kësaj pyetje deri në fund kur, duke falënderuar Hyjin që e bëri Palin dritë e mësues të të gjithë neve, i drejtoi lutjen: “Na jep edhe sot dëshmitarë të ngjalljes, të tronditur deri në thelb të zemrës nga dashuria jote e të aftë për ta përhapur dritën e Ungjillit në kohën tonë. Shën Pal, lutu për ne! Amen!







All the contents on this site are copyrighted ©.