365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Zonja Akarje dhe përhapja
e Urdhërit Karmelitan në Francë".
(28.06.2008)“Jo, im zot, vajzat që do të vijnë mysafire në shtëpinë tonë, do
të përgatiten për t’u bërë karmelitane. Nuk vijnë këtu për të vallëzuar!”. “Por,
e dashur, janë magjepsëse e vallëzojnë mrekullisht bukur! E pastaj, kemi sallone të
mëdha, të shtruara me parket. Gjithçka është bërë pikërisht për të vallëzuar!”. Kështu
flet zoti Akarje e, tejet i lum, bën disa hapa vallëzimi, duke mbajtur për dore një
nga vajzat. Zonja Akarje çon sytë nga qielli, gjysëm e kënaqur e gjysëm e zemruar.
I shoqi është burrë vërtetë i pandreqshëm! Këtë vit, më 1605, familja Akarje jeton
në një situatë vërtetë të veçantë. Katër vjet më parë e zonja e shtëpisë pati një
vegim, në të cilin Tereza e Avilës, reformatorja e madhe e Karmelit në Spanjë, i kërkon
ta shtrijë këtë Urdhër edhe në Francë. Duke iu bindur kësaj kërkese, zonja Akarje
kërkoi ndihmën e disa njerëzve me ndikim të madh në shoqëri. Në të vërtetë, ajo njihte
shumë njerëz të rëndësishëm në Paris, e kjo i dha dorë ta realizonte veprën, që nisi
me një vegim. Zonja Akarje është grua jashtëzakonisht e zgjuar, e sjellshme, simpatike
dhe e kulturuar. Prandaj gjithë shoqërisë së lartë pariziane i pëlqen ta vizitojë
shtëpinë e saj. E ja, sot ëndrra e zonjës Akarje po realizohet. I kushëriri, Pjetri
de Berujè, klerik shumë i njohur, që do të bëhej kardinal, niset në Spanjë për të
ftuar disa karmelitane, të cilat dëshirojnë të vendosën në Francë e të hapin një
kuvend. Në Paris shumë vajza kanë dëgjuar të flitet për Karmelin e dëshirojë të
hyjnë në këtë Urdhër. Po, ç’do të bëjnë këto vajza, derisa të arrijnë karmelitanet
nga Spanja, për ta themeluar? Zonja Akarje nuk ngurron fare. Ajo, i shoqi e gjashtë
të bijtë, mund të ngushtohen paksa, për t’u liruar sa më shumë vend karmelitaneve
të ardhshme. E në pallatin vigan Akarje vendi nuk mungon. E nuk mungon as vullneti
i mirë i zotit të shtëpisë, që e ndjen veten të lum, i rrethuar siç është nga gjithë
këto vajza të bukura, si drita. Ç’kënaqësi për një burrë që i pëlqejnë dëfrimet! Me
që karmelitanet e ardhshme nuk e kanë veshur ende zhgunin, zoti Akarje dëshiron ta
harrojë për një çast kush janë e pse janë mbledhur në shtëpinë e tij...