2008-06-27 18:21:48

U paraqit libri: “Si funksionon Vatikani”, shkruar nga Enco Romeo.


(27.06.2008 RV)U paraqit sot libri i gazetarit Enco Romeo “Si fuksionon Vatikani”, doracak kulturor-formativ, që na merr për dore, për të na udhëhequr në njohjen e të gjitha veprimtarive të Vatikanit, si në këndvështrimin strukturor, ashtu edhe në atë kulturor e shpirtëror. Të pranishëm, kardinali Oskar Rodriguez Maradiaga, kryetar i Karitasit Ndërkombëtar dhe autoritete të tjera kishtare e kulturore. Doracaku është i pasur edhe me kuriozitete nga bota e Vatikanit, ku punojnë 5 mijë nëpunës klerikë e laikë, jeta e përditshme e të cilëve ndryshon mjaft nga ajo që jetohet jashtë kësaj bote të vogël, por tepër të pasur me kulturë e përshpirtëri, që i hap njeriut horizonte të pafundme. Por, të dëgjojmë vetë autorin, i cili na tregon si funksionon Vatikani. Ja si shprehet Enco Romeo:

Përgjigje: - Është një makinë shumshekullore, e organizuar prej kohësh shumë të vjetra, por që herë pas here, kohë pas kohe, i përshtatet kushteve të reja, në mënyrë që të punojë si strukturë shërbimi. Kjo është kryesorja. Duhet të jetë një strukturë që vihet në shërbim të Mëkëmbësit të Krishtit për kumtimin e Lajmit të Mirë. Problemi është të kuptohet si i dilet mbanesh që kjo strukturë të ruajë funksionin e shërbimit, pa shkarë në atë të pushtetit.

Pyetje: - Ndonjë gjë që të ngjall kureshtjen?

Përgjigje: - Kuriozitete ka sa të duash. Në fund të çdo kapitulli mund të gjesh disa rrëfime të vogla. Tingëllojnë si përgjigje ndaj pyetjeve plot kureshtje që bëjnë njerëzit për këtë botë. Besoj se gjëja më kurioze është se këtu gërshetohen ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme ndërkombëtare – e këtu mjafton të kujtojmë vizitën e presidentit amerikan Bush së bashku me Papën në Kopshtet e Vatikanit – me ngjarjet e përditshme, të një jete që vijon me të njëjtin ritëm prej shekujsh.

Pyetje: - Ju tërhoqi më shumë e përditshmja e Vatikanit, apo aspekti i madhështisë e i pushtetit?

Përgjigje: - Më tërhoqi pikërisht gërshetimi i këtyre gjërave. Madhështia nuk e ndrydh Vatikanin. Unë flas, në një farë mënyre, për sindromën e Stendalit; citoj episodin e njohur të shkrimtarit francez që, duke shikuar nga poshtë Kupolën e Vatikanit, humbi fare në soditjen e gjithë kësaj madhështie. E tha: “Është madhështi që e larton shpirtin, nuk e shtyp”. E besoj se ky është edhe sekreti më i madh i Vatikanit!







All the contents on this site are copyrighted ©.