2008-06-27 17:37:24

Kardinali Agostino Valini është vikar i ri i Papës për dioqezën e Romës.


(27.06.2008 RV)RealAudioMP3 Benedikti XVI pranoi kërkesën e kardinalit Kamilo Ruini për t’u larguar nga detyra e mëkëmbësit të përgjithshëm të dioqezës së Romës dhe kryepriftit të Kryebazilikës Papnore Lateranense, me që mbushi moshën e duhur për pension. Në vend të tij, Papa thirri kardinalin Valini, 68 vjeç, deri tani Prefekt i Gjykatës së Lartë të Senjaturës Apostolike.
Sot paradite, në Sallën Klementine në Vatikan, Papa i priti të dy kardinajtë, së bashku me zyrtarët e Vikariatit. Gjatë kësaj audience, Benedikti XVI e falënderoi kardinalin Ruini për punën e kryer, ndërsa kardinalit Valini i uroi suksese në detyrën e re.
Zgjuarësi e urti: këto – tha me mirënjohje Benedikti XVI, qenë dhantitë që kardinali Ruini vuri në shërbim të Papës, të Kishës e të Selisë së Shenjtë. Një kontribut i shquar, ky i Hirësisë së Tij, me të cilin – kujtoi Ati i Shenjtë - kam bashkëpunuar në shumë raste e posaçërisht me rastin e takimeve kishtare të dioqezës, organizuar për t’iu përgjigjur kërkesave urgjente të punës baritore në rrethanat shoqërore e kulturore të Romës.
Pastaj Benedikti XVI iu drejtua Vikarit të tij të ri për dioqezën e Romës:
Ju përshëndes me përzemërsi të madhe e ju mirëpres në detyrën e re, të cilën jua besoj, duke pasur mirë parasysh përvojën tuaj baritore, të fituar më parë si ipeshkëv-ndihmës i Dioqezës së Napolit e më pas, si ipeshkëv i Albanos, detyra të kryera me urti e zotësi”.
Papa shprehu besimin e plotë se kardinali Valini, në përpjekjen për t’i shërbyer sa më mirë Kishës e Qytetit të Amshuar, do të ketë edhe mbështetjen e atyre, që punojnë në Vikariatin e Romës.







All the contents on this site are copyrighted ©.