2008-06-27 17:39:12

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Gjovana di Shantal, që jetoi me moton: Të bësh gjithçka me dashuri, asgjë me dhunë!”.


(27.07.2008 RV)RealAudioMP3 Jemi në vitin 1604 e ipeshkvi i Anesisë, Françesku i Sales, shkon të kalojë ca kohë në Dizhon. Me që të gjithë e admirojnë mënyrën bindëse me të cilën flet për Hyjin, një turmë vigane i ndjek vazhdimisht predikimet e tij. Një ditë Françeskun shkon ta takojë kryeipeshkvi i Bryges, mik i Shenjtit të ardhshëm, i shoqëruar nga një grua e re, veshur e tëra me të zeza, siç e kanë zakon të vishen vejushat. Françeskut i duket fytyrë e njohur. Ka mundësi të jetë një nga fytyrat që ka parë në mes të turmës, e cila mblidhet për ta dëgjuar.
“Françesk, kjo është mbesa ime, Gjovana di Shantal!”.
Gjovana i tregon historinë e saj. U martua kur ishte njëzet vjeçe me një burrë, të cilin e donte me gjithë zemër. Jetuan së bashku për tetë vjet. Ishin tepër të lum deri në vitin 1601, kur shoku i dashur i jetës i vdiq në një aksident, në sa kishte shkuar për gjah. Gjovana është vetëm 28 vjeçe, kur mbetet vejushë e nënë e katër fëmijëve, të cilët duhet t’i rrisë e t’i edukojë e vetme. Nga eleganca e nga zgjuarësia që i burojnë prej gjithë qenies, Françesku e merr me mend se duhet të jetë një nënë e jashtëzakonshme. Po, ashtu është vërtetë, por Gjovanës kjo nuk i mjafton. Nga njëra anë dëshiron t’i rrisë sa më mirë fëmijët, nga ana tjetër ndjen thirrjen të lërë gjithçka për Hyjin. Si t’ia bëjë, që këto dy ëndrra të mos e errësojnë njëra-tjetrën? Ky takim shënon fillimin e një miqësie të ngushtë ndërmjet Françeskut të Sales e Gjovanës Shantal. Me kalimin e kohës bijtë e Gjovanës rriten e ajo mund të zgjedhë rrugën e jetës rregulltare: më 1610, së bashku me Shën Françeskun, themelon në Anesì Urdhërin e Vizitacionit. Urdhëri mirëpret gratë që dëshirojnë t’i kushtohen lutjes dhe shërbimit të të sëmurëve. Në atë kohë një mision i tillë i dyfishtë çudit shumkënd, sepse njerëzia janë mësuar t’i shikojnë të mbyllura ndër kuvende gratë, që i kushtohen lutjes. Gojët e liga nisin t’i shpërrallojnë vizitandinet, që sillen nëpër qytete për të mjekuar të sëmurët. Në vitin 1619 Françeskut e Gjovanës u duhet të dorëzohen e, për t’i mbyllur këto gojë, të heqin dorë nga asistenca e të sëmurëve nëpër shtëpitë e tyre. Duhet pritur të ndryshojë kjo mendësi!Por Gjovana nuk e humbet guximin. Përkundrazi. I bie Francës kryq e tërthor e themelon kudo kuvende të reja të Vizitacionit. Pas vdekjes së Françeskut, më 1622, e ndihmojnë shumë njerëz të tjerë, të cilët e admirojnë veprën e saj, e posaçërisht, Vinçenci i Paolës, që i bëhet krah në punën për drejtimin e kuvendeve. Po fjala ‘drejtim’ ndoshta është e papërshtatshme për mënyrën si vepron Gjovana. Ajo nuk pranon kurrë të thirret Eprore e përgjithshme. Mendon se tetëdhjetë e shtatë kuvendet e Vizitacionit, duhet të drejtohen me frymën e miqësisë e jo të autoritetit. Ajo jeton me moton e Shën Françeskut: “Të bësh gjithçka me dashuri e asgjë me dhunë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.