2008-06-26 18:04:20

“Shtatë varrët e Krishtit” të piktorit Lin Delia, ekspozohen në Passau të Gjermanisë.


(26.06.2008 RV)Në Muzeun dioqezan të Passaut, në Gjermani u hap ekspozita ndërkombëtare “Fytyra e Krishtit” me punët e disa prej piktorëve më të shquar bashkëkohorë. Mes tyre, 7 punime të piktorit shqiptar, Lin Delija
Piktori françeskan shqiptar, Lin Delija, kaloi një pjesë të mirë të jetës së tij në Itali, ku u detyrua të vendoset, pas arratisjes nga Shqipëria nën diktaturë. E kapërceu vijën e kufirit në bjeshkët e veriut, së bashku me piktorin e sivëllaun françeskan, fra Ambroz Martinin, sepse të përndjekur nga regjimi komunist. Aso kohe quhej fra Vlashi. Pas shumë endjesh, u vendos në qytezën italiane, Antrodoko, ku jetoi, pikturoi, vdiq, u varros e ku u ngrit një shtëpi muze me punimet e artisit shkodran, 7 nga të cilat tani mund të admirohen në ekspozitën e Passaut.
Po ju njohim , me këtë rast, me një fragment nga intervista që i dha Radios sonë në vitin 1993 kur, plot shpresa për t’u kthyer e për të punuar në Atdhe, pati hapur një ekspozitë pranë ambasadës së Shqipërisë në Romë:RealAudioMP3
Kujtojmë se projekti i ekspozitës së Passaut lindi nga një ide e Papës Pali VI që në vitin 1974, me rastin e Sinodit të tretë të ipeshkvijve kushtuar ungjillzimit. Papa propozoi të hapej një ekspozitë me temë “Ungjillzimi dhe arti”, ku konkuruan 86 artistë bashkëkohorë italianë e të huaj me piktura, vizatime dhe grafika kushtuar Fytyrës së Krishtit. Një pjesë e këtyre punimeve, dhuruar nga artistët, ruhet në Koleksionin e Artit shpirtëror të Breshias.
Në vitin 2004 me ekspozitën “Fytyra e Krishtit”, organizuar nga shoqata “Arti dhe përshpirtëria”, këtyre punëve iu shtuan dhjetëra punë të artistëve të tjerë bashkëkohorë, me idenë për të vazhduar reflektimin artistik mbi mundësinë e pasqyrimit të Fytyrës së Birit të Zotit në art. Ekspozita në Muzeun dioqezan të Passaut në Gjermani, i rikthehet rishtas kësaj teme, këtë herë me punime të artistëve nga vende të ndryshme të Evropës, si Gjermania, Italia, Franca, Anglia, Austria, Çekia e Hungaria. Ekspozita është vendosur në sallat e Pallatit Ipeshkvnor, vepër e shquar arkitektonike e ‘600-ës, sot qendër e muzeut dioqezan.
Në plan të parë në Bibliotekë vendosen veprat e para të ekspozitës së vitit 1974. Ndërmjet tyre, punë të piktorëve Corrado Cagli, Domenico Cantatore, Aldo Carpi, Carlo Carrà, Pericle Fazzini, Renato Guttuso, Oskar Kokoschka, Giacomo Manzù, Georges Rouault. Atyre u shtohet seria e re portreteve të Krishtit, punuar nga piktori shqiptar, Lin Delija, me temë “Shtatë fjalët e Krishtit në kryq”. Shtatë pikturat janë shkëputur nga koleksioni “Roncaglia Campanelli” i Osimos. Me ngjyra tejet origjinale, të cilat e radhisin Delinë në radhët e piktorëve më të mirë të kohës, pikturohet fytyra e Krishtit që ecën drejt Kalvarit dhe ‘Shtatë plagët e Zotit’, të cilat kandidati për frat françeskan, nxënës i piktorit Atë Leon Kabashi, i njihte tepër mirë, sepse e kishte provuar rrugën e Kalvarit.Lin Delija, i cili ia kushtoi një pjesë të mirë të veprës tematikës fetare, zë një vend unik në pikturën shqiptare. Por Shqipëria ende nuk e ka njohur personalitetin e tij krijues e as veprat e tij të shquara, që bota i njeh mirë, sepse u ekspozuan e vijonë të ekspozohen në muze e mjedise të përmendura të saj.







All the contents on this site are copyrighted ©.