2008-06-26 18:02:38

Imzot Tomazi: të zgjërohet koncepti mbi masat mbrojtëse të refugjatëve, që të mos ngatërrohen me emigrantët e parregullt.


(26.06.2008 RV)Mbrojtja e refugjatëve dhe e të shpërngulurve, që ikin nga vendlindja për shkak të konflikteve ose të fatkeqësive të tjera, është veprimtari e cila duhet rimenduar në shkallë ndërkombëtare, duke ia përshtatur personave që detyrohen të kërkojnë strehim në vende të tjera. Këtë, thënë me dy fjalë, pohoi kryeipeshkvi Silvano Tomazi në fjalimin që mbajti dje, si vëzhgues i Selisë së Shenjtë, në takimin e 42-të të Komitetit të përhershëm të Komisariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, pranë OKB-së së Gjenevës.
40 milionë njerëz të çrrënjosur nga dhuna e persekutimi, janë në qendër të një paradoksi botëror: sa më shumë dendësohet vala e njerëzve që kërkojnë mbrojtje, aq më shumë nismat politike – të propozuara e të zbatuara - lëvizin në drejtimin e kundërt, duke i penguar refugjatët të gjejnë strehë të re e siguri e duke u krijuar vuajtje e fyerje të mëtejshme.
Imzot Tomazi theksoi se mbrojtja, si koncept dinamik, ka evoluar dukshëm që nga Lufta II Botërore, pikërisht sepse Konventa e vitit 1951 mbi refugjatët e lidhi mbrojtjen e tyre me Deklaratën Universale mbi të Drejtat e Njeriut e, më pas, edhe me mjete të tjera, si UNHCR-ja, me synim që popullsitë e çrrënjosura nga viset e tyre, të mund të rifillojnë me dinjitet një jetë të re. Prej këndej, prelati kërkoi të zgjërohet koncepti i mbrojtjes, duke përfshirë edhe kërkesa të tjera, si për shembull ushqimin e mjaftueshëm për ata që jetojnë në kampet e refugjatëve dhe mbrojtjen nga arrestimi ose nga internimi, për shkak të përpjekjes për të dalë nga vendi, në kërkim të punës, duke krijuar kanale të përshtatshme për sigurimin e ligjshëm të strehimit e duke shmangur rrezikun që të ikurit nga dhuna, të pësojnë dhunë e abuzime të reja.







All the contents on this site are copyrighted ©.