2008-06-26 17:53:31

Benedikti XVI ipeshkvijve të Hondurasit: kumtojini vlerat shoqërore të Ungjillit për t’u ridhënë shpresë shtresave të varfëra të vendit tuaj.


(26.06.2008 RV)RealAudioMP3 Ushtrimi i dhunës në rritje dhe përhapja e varfërisë, luftohen duke dëshmuar vlerat shoqërore të Ungjillit e duke forcuar institucionin e martesës, pa harruar gjallërimin e veprimtarisë baritore e të shërbimit bamirës. Këto ishin porositë kryesore që u dha Benedikti XVI ipeshkvijve të Hondurasit, të cilët i priti sot në audiencë, në përfundim të vizitës së tyre ‘ad Limina apostolorum’.
Të mjekojë plagët shoqërore me fjalët e Jezusit, që përtërijnë zemrën, e me veprimtari solidariteti, që lindin nga dashuria e krishterë e ia rikthejnë shpresën atij, që e ka humbur: me këtë sy e shikon Benedikti XVI misionin e Kishës në Honduras. Papa i porositi ipeshkvijtë e vendit qendroamerikan t’i kushtojnë vëmendje të dorës së parë kujdesit për klerin, për thirrjet e reja meshtarake e, sidomos, të vënë mirë theksin mbi fenë e besimtarëve, të cilëve duhet t’u prijnë në mënyrë korrekte.
Papa kujtoi se përhapja e shekullarizimit e posaçërisht e sekteve, është burim pështjellimi për shumë besimtarë, të cilët rrezikohen të largohen nga Kisha. Prandaj porositi të thellohet puna për ungjillëzimin, duke kërkuar edhe ndihmën e laikëve katolikë, të cilët në Honduras luajnë prej kohe një rol të rëndësishëm si katekistë e delegatë të fjalës së Zotit:
“Ellos, mediante el testimonio de su vida cristiana…
Ata, përmes dëshmisë së jetës së tyre të krishterë, mund ta çojnë mesazhin e Krishtit në të gjitha fushat e shoqërisë, duke tërhequr në bashkësinë e krishterë besimtarët, feja e të cilëve është zbehur si dhe ata që janë larguar. Prandaj shekullarët duhet ta forcojnë lidhjen e tyre me Zotin e të punojnë për një formim sa më të shëndoshë, posaçërisht përsa i përket Doktrinës shoqërore të Kishës”.
Papa porositi edhe që t’i kushtohet vëmendje e veçantë seminaristëve, duke vënë në shërbim të tyre edukatorët më të mirë dhe mjetet më të përshtatshme materiale, sepse populli i Hyjit ka të drejtë të ketë meshtarë të pjekur në aspektin human e shpirtëror, njerëz që i kundërvihen dhunës, që ndihmojnë emigrantët, mbrojnë ambientin, luftojnë korrupsionin, përpiqen të zgjidhin problemet e mëdha, të përditshme e të shërojnë plagët e shumta, të hapura, të shoqërisë vendase, duke qëndruar posaçërisht pranë të sëmurëve, pleqve e të burgosurve, me frymën e Ungjillit të Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.