365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: 'Turibi i Mogrovejos, ipeshkvi
që hodhi farën e shenjtërisë në Peru".
(26.06.2008 RV)Mbreti i Spanjës,
Filipi II nuk është nga ata sovranë që i lënë pas dore punët e fesë, përkundrazi!
Kur merr vesh lajmin e vdekjes së Jeronimit të Loaisës, që ishte ipeshkëv i Limës,
kryeqytet i Perusë, shqetësohet pa masë. Duhet të gjejë një shërbëtor të vërtetë të
Hyjit për ta zevendësuar! E di mirë se nga zgjedhja e tij varet ardhmëria e krishtërimit
në mbarë Amerikën Jugore. Pas shumë kërkimesh, zgjedh një laik 39 vjeçar, Turibin
e Mogrovejos, gjykatës në Granadë, ku shikohej nga të gjithë si njeri i shenjtë. “Po
Turibi nuk është as diakon e aq më pak meshtar!”, protestojnë ata, që do të dëshironin
të zgjidheshin në vendin e tij. “S’ka pikë rëndësie!”, përgjigjet Filipi II. “Po
Krishti, a nuk zgjodhi ca peshkatarë e një tagrambledhës si dishepuj të vet?”. Pas
pak muajsh gjykatësi shugurohet meshtar e pastaj edhe ipeshkëv. Kështu, më 1580, niset
për në Peru, ku në këtë periudhë Kisha është në gjendje vërtetë të vajtueshme. Shumë
nga meshtarët e ipeshkvijtë, përfitojnë nga pozita e tyre, për t’u zhvatur para të
varfërve; të tjerë akoma, kalojnë një jetë të turpshme, të zhytur siç janë në vese,
pa frikën e Zotit. Turibi merr nga papa lejën t’i çkishërojë menjëherë, në se
nuk do të pranojnë të ndryshojnë rrugë e të jetojnë sipas mësimeve të Ungjllit të
cilat, në gojën e tyre, bëhen fjalë krejt pa kuptim. Sepse Ungjilli kryesisht duhet
jetuar! Çkishërim do të thotë përjashtim nga Kisha, heqje e së drejtës për ushrimin
e meshtarisë. Prej këndej, meshtarët që çkishërohen, nuk mund ta sigurojnë më jetesën
duke shfrytëzuar Kishën... Prandaj shumkush ka frikë prej tij. Ipeshkvit shenjt i
duhet të kapërcejë shumë pengesa e rreziqe. E padisin, e kërcënojnë, e mbulojnë me
shpifje, por ai nuk heq dorë nga veprimtaria për spastrimin e Kishës nga njerëzit
e padenjë. Një gjë tjetër, që e shqetëson pa masë, është gjendja e indiosve, posaçërisht
e atyre që jetojnë në kushte të një braktisjeje të plotë. Indianët inkas nuk kanë
as dispanseri e as spitale për t’u mjekuar. Turibi vendos të vërë taksa, për të siguruar
paratë që i duhen për ndërtimin e tyre. Gjatë ipeshkvnisë së tij bën tre shtegtime
të vështira baritore. Peruja është vend malor, plot me gremina, me pyje të papërshkueshme
e liqene plot me të papritura. Duke rrezikuar jetën, Turibi shkel në fshatrat më
të humbura, në këmbë, mbi shpinë të mushkës, mbi lundrat e vendasve… Kështu, gjatë
katërmbëdhjetë vjetëve të ipeshkvnisë, përshkon dyzetmijë kilometra udhë.Falë veprimtarisë
së tij e sidomos, forcës së shembullit të tij, në Peru shumë njerëz ecin në rrugën
e shenjtërisë. Mjafton të kujtojmë Rozën e Limës, Martin de Porres, Gjonin Maçias
e Marianën de Paredes… Turibi, si shenjt i vërtetë, e lëvroi me kujdes truallin,
hodhi farën e fara dha shumë fryt…