2008-06-25 19:16:59

Papa pret prelatët e Hondurasit, në vizitë ‘ad Limina’.


(25.06.2008 RV)RealAudioMP3 Të hënën në Vatikan filloi vizita ‘ad Limina’ e ipeshkvijve të Hondurasit, të kryesuar nga kardinali Oskar Andrés Rodriguez Maradiaga, kryeipeshkëv i Teguçigalpës, që do të përfundojë të shtunën e ardhshme.
Me sipërfaqe sa një e treta e Italisë, Hondurasi jeton me ndihma ndërkombëtare e me paratë që u çojnë emigrantët familjeve, ndonëse në vitin 2005 vendet kreditore ia falën borxhin e jashtëm, prej 4. 200 milionë dollarësh. Vendi ka 7 milionë banorë, gjysma të urbanizuar e të papunë, 20% analfabetë, 70% në prag të mjerimit të plotë. Sektori kryesor i ekonomisë mbetet bujqësia, e organizuar në plantacione, në duart e shumkombësheve amerikane; bëhen përpjekje edhe për zhvillimin e industrisë së përpunimit të prodhimeve bujqësore. Ish– koloni spanjolle; e pavarur që më 1821, në kuadrin e Konfederatës së Amerikës Qëndrore; shtet sovran që më 1838, Hondurasi ka një histori të ngarkuar me ndërhyrje nga jashtë e periudha diktaturash. Aktualisht situata është tejet e tensionuar, për shkak të konflikteve ndërmjet qeverisë e popullsisë vendase, që shpreh kështu pakënaqësinë për shfrytëzimin e trojeve të saj.
Kisha në këtë vend me popullsi 80% katolike, ka 12 ipeshkvij që e kryejnë misionin e tyre në 8 dioqeza. 25 vjet më parë u vizitua nga Gjon Pali II i cili, përballë padrejtësive të mëdha që vërejti në këtë vend, ripropozoi me forcë mësimet shoqërore të Kishës, të cilat presin akoma të vihen në jetë.
Po cilat janë shpresat e Kishës hondurase, në dritën e porosive të Konferencës së Episkopateve Latino-Amerikane, hapur nga vetë Benedikti XVI në Shenjtëroren e Aparesidës? Në mikrofonin tonë, kardinali Maradiaga na flet për sfidat më urgjente të Kishës në Honduras:

Përgjigje: - Dokumenti i Aparesidës na hapi një perspektivë pozitive. Rilindi vetëdija e besimtarit të krishterë, dashuria për fjalën e Hyjit e për Ungjillin. Këto janë elemente pozitive e shenja shprese. Por nuk mund të harrojmë edhe problemet e shqetësimet jo të pakta. Ndërmjet tyre, rritja e numrit të të varfërve, pasojë e drejtpëdrejtë e rritjes së çmimit të naftës e të prodhimeve ushqimore të dorës së parë. As shlyerja e borxhit të jashtëm nuk mundi t’i hapë vendit rrugë të reja për zhvillim. E ne e kryejmë misionin tonë pikërisht në një vend të tillë, ku qeveritë nuk arrijnë t’i zgjidhin problemet e varfërisë, të pasigurisë e të zhvillimit. Detyra jonë kryesore është të vijojmë punën për ungjillëzimin, në mënyrë që Doktrina Shoqërore e Kishës të hyjë kudo, edhe në fushën politike-institucionale. E kjo, sepse kur arrihet në poste sunduese, na duket se harrohet e mira e përbashkët. Atje ku ka shumë varfëri, ka edhe shumë tundim për fitime të lehta, pa mundim. E etja për fitime të tilla nuk mund të mos çojë në rrugët e trafikut të drogës e të llojeve të tjera, sepse pa djersë mund të fitohet vetëm duke ecur në rrugët e kriminalitetit.







All the contents on this site are copyrighted ©.