Notë e Sallës vatikanase të Shtypit lidhur me lajmet e përhapura nga mediat për zhdukjen
e Manulea Orlandit: “Akuza pa asnjë bazë kundër imzot Marçinkus”.
(25.06.2008 RV)Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë ndërhyn, me një notë, në
historinë e ngjarjes që lidhet me zhdukjen e së resë Manuela Orlandi, e cila riduket
në faqet e shtypit italian. “Na çudit pa masë – lexohet në komunikatë - mënyra si
përhapen me lehtësi gazetareske, lajme të rezervuara, që nuk i nënshtrohen kurrfarë
verifikimi e që vijnë nga dëshmi pa kurrfarë vlere, në mos po, të dyshimta. Ringjallet
kështu dhimbja e familjes Orlandi, pa kurrfarë respekti për njerëz që vuajnë shumë
e prej kohe”. Në komunikatë nënvizohet edhe se po përhapen akuza fyese, pa asnjë
bazë, kundër imzot Marçinkus, që ka vdekur prej kohe e që, prandaj, nuk mund të mbrohet.
(Kujtojmë se Imzot Pol Marçinkus, vdekur më 20 shkurt 2006, ishte drejtor i IOR-it,
Bankës së Vatikanit, nga viti 1971 deri në vitin 1989). Salla vatikanase e Shtypit
ripohon se nuk dëshiron në asnjë mënyrë të ndërhyjë në kompetencat e gjykatës për
zbatimin e ligjit, në përpjekjen për të verifikuar faktet e përgjegjësitë. Por njëkohësisht
nuk mund të mos shprehë keqardhjen e thellë dhe të mos i dënojë mënyrat që pëdoren
nga informacioni, të cilat synojnë më shumë të bëjnë sensacion, sesa të respektojnë
kërkesat, seriozitetin dhe etikën profesionale.