2008-06-25 19:16:09

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme: ‘Vlerat e mëdha të kësaj bote, si liria, dialogu e toleranca, e kanë themelin tek feja në Krishtin”.


(25.08.2008 RV)RealAudioMP3 Liria, dialogu e toleranca duhet ta kenë pikën e referimit tek të vërtetat e fesë: këtë kujtoi Papa Benedikti XVI sot paradite në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, përplot me besimtarë e turistë. Para se të fillonte katekizmin, Ati i Shenjtë bekoi shtatoren e re të Shën Luigjit Orione, vendosur në një nga kamaret e jashtme të Bazilikës së Vatikanit, vepër e skulptorit Aleksandër Romano.
I nxitur nga jeta e Maksimit, murg shenjt, Atë i Kishës së Lindjes, i njohur me titullin ‘Rrëfyesi’, që jetoi në shekullin IV, të cilit ia kushtoi katekizmin e sotëm, Papa u kujtoi të krishterëve se edhe sot duhet ta kumtojnë me guxim e pa asnjë kompromis “fenë në Krishtin, Zot i vërtetë e njeri i vertetë, Shëlbues i botës”.
Shën Maksimi, i lindur në Palestinë, më pas i transferuar në Kostandinopojë e që aty, në Afrikë, nga fundi i jetës u thirr në Romë nga Papa Martini I, për të marrë pjesë në Koncilin Lateranens. I akuzuar, së bashku me Papën, për herezi, iu kundërvu me një guxim të paepur pushtetit të perandorit, i cili e mbante veten si të krishterë. E këtë guxim e pagoi shtrenjt. U kap, u gjykua e iu nënshtrua torturave të tmerrshme, të ngadalshme, që i shkaktuan edhe vdekjen në internim. E vështirë kjo rrugë, që ndoqi Ati i Kishës, por e domosdoshme për të gjithë ata që e mbajnë veten të krishterë të vërtetë!
Prandaj Papa theksoi se Shën Maksimi, duke dhuruar edhe jetën për Krishtin, la pas një trashëgim, që u përket mbarë të krishterëve e që është masë për të gjitha vlerat:
Mendojmë për vlerat e sotme, që njihen e që, me të drejtë, edhe mbrohen: vlerat e tolerancës, të lirisë e të dialogut. Por një tolerancë, që nuk do të dinte më të dallonte të mirën nga e keqja, do të bëhej kaotike dhe vetshkatërruese. Kështu edhe liria, që nuk e respekton lirinë e të tjerëve e nuk e gjen masën e lirive tona, bëhet anarki dhe e shkatërron përsëri autoritetin. Dialogu, që nuk di më mbi ç’argumet të dialogojë, bëhet fjalë boshe. Të gjitha këto vlera janë të mëdha, themelore, por mund të mbeten vlera të vërteta vetëm në se kanë një pikë referimi, që i bashkon e u jep cilësinë e vlerave. E kjo pikë referimi është sinteza e Hyjit dhe e Gjithësisë, si dhe figura e Krishtit, përmes së cilës mësojmë të vërtetën mbi vetveten”.
Para se të takohej me mijëra besimtarët, që mbushnin Sheshin e Shën Pjetrit, ndritur nga rrezet e zjarrta të diellit veror, Papa bekoi shtatoren e re të Shën Luigjit Orione, shpallur shenjt në maj të viti 2004, ndërsa në përfundim të audiencës, i drejtoi familjes orinonine urimin:
“Përurimi i shtatores së Themeluesit tuaj qoftë për të gjithë bijtë e tij shpirtëror, nxitje e re për të vijuar udhën në gjurmët e Shën Luigjit Orione, posaçërisht për t’i sjellë tek Pasardhësi e Shën Pjetrit – siç thoshte shpesh ai vetë – njerëzit e vegjël, të përvujtë, punëtorët e varfër e të përjashtuarit nga radhët e shoqërisë, që janë më të dashurit për Zotin dhe thesari i vërtetë i Kishës së Jezu Krishtit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.