Sot Kisha katolike përkujtoi festën e lindjes së Shën Gjon Pagëzuesit: dëshmitar i
Krishtit.
(24.06.2008 RV)Ishte viti 28 para
Krishtit. Që prej 15 vjetësh në fronin e Romës sundonte Tiberi perandor. Sipas Shën
Lukës ungjilltar, pikërisht në këtë kohë, nga stepat e Judesë, gjatë rrjedhës së lumit
Jordan, u ngrit një zë i fuqishëm e i qartë: zëri i Gjon Pagëzuesit. Me Gjonin njihemi
për herë të parë në Ungjillin e Lukës, i cili tregon sesi Kryengjëlli Gabriel e paralajmëroi
babain e Gjonit, Zakarinë, një mbrëmje ndërsa po shërbente në tempull, se do t’i lindte
një djalë. Ungjilltarët e paraqesin Gjonin përmes përshkrimit të misionit të lavdishëm,
që arrin kulmin me martirizimin e tij, në atmosferën e një feste të shthurur në pallatin
e Herodit. Por skena kryesore, që na propozon liturgjia e sotme për Shën Gjon Pagëzuesin,
përmes Ungjillit sipas Mateut, është ajo në të cilën vetë Krishti e larton Gjonin
me shprehjen: “Përnjëmend po ju them: ndër ata që u lindën prej grash, nuk u ngrit
asnjë më i madh se Gjon Pagëzuesi”. Nga ana tjetër ndër ungjijtë vërehet njëfarë
ngurrimi kur flitet për Gjonin, duke pasur parasysh se nxënësit e tij nuk donin të
largoheshin prej mësuesit të tyre për të ndjekur Jezusin, ndërsa vetë Gjoni kishte
pohuar se qe i padenjë edhe për t’i zgjidhur lidhësat e sandaleve. E kjo sepse, siç
pohon në Ungjillin e tij Shën Gjoni Ungjilltar duke përdorur simbolet e dhëndrrit,
të nuses e të mikut të dhëndrrit, “Gjon Pagëzuesi nuk ishte drita, por duhet të bënte
dëshmi për dritën”. Madje vë në gojën e Paraardhësit këto fjalë: “Unë nuk jam Krishti
(Mesia) por jam i dërguari para tij. Kush ka nusen, është dhëndërr. Dashamiri i dhëndrrit,
i rri pranë e e dëgjon zërin e dhëndrrit. I tillë është, pra gëzimi im: arriti në
kulm! Ai duhet të rritet e unë të zvogëlohem!”. Shën Gjon Pagëzuesi është padyshim
profeti i fundit i Besëlidhjes së Vjetër, i rrethuar me aureolën e lumnisë (së bashku
me Virgjërën Mari, është i vetmi shenjt të cilit, sipas kalendarit liturgjik, i kremtohet
si lindja, ashtu edhe vdekja), por gjithsesi ai mbetet gjithnjë vetëm një gisht tregues
i drejtuar nga Krishti, që është qëndra e vërtetë e historisë së shëlbimit. Prandaj
në poliptikun e elterit të Isenhaim-it, që ruhet në muzeun e qytetit alsasian të Kolmarit,
piktori Matia Grunevald që e pikturoi veprën ndërmjet viteve 1512 e 1516, e vendosi
Shën Gjonin tek këmbët e të Kryqëzuarit, me gishtin tregues të lartuar drejt Krishtit,
i vetmi që duhet të “rritet” në fenë e në adhurimin e nxënësve të vet. Ndërsa
piktori i famshëm italian, Karavaxho, me porosinë e Kalorësve të Maltës, që e kanë
zgjedhur Shenjtin si pajtor, realizoi kompozimin e njohur në mbarë botën, ‘Kokëprerja
e Shën Gjonit’.