2008-06-23 17:57:57

Fortlumturia e Tij, imzot Fuad Tual është Patriku i ri i latinëve në Jeruzalem.


(23.06.2008 RV)Dje, i shoqëruar nga një turmë e madhe besimtarësh, prelatësh, klerikësh e rregulltarësh françeskanë, Patriku i ri hyri solemnisht në bazilikën e Varrit të Shenjtë.
Imzot Fuad është bari i njohur për përvojën e tij të gjatë diplomatike.
I lindur në vitin 1940 në Madaba të Jordanisë, i shuguruar meshtar në vitin 1966, imzot Tual, deri tani ndihmës i Patriarkanës së Jeruzalemit të latinëve, ka shërbyer si diplomat në Honduras, në Këshillin për çështjet publike të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, në nunciaturat apostolike të Gjermanisë e të Perusë. Më 1992 u emërua ipeshkëv i Tunizit e, pas tri vjetësh, kryeipeshkëv në të njëjtin vend. Është edhe kryetar i Konferencës ipeshkvnore zonale të Veriut të Afrikës. Sot Patriku i ri i Latinëve filloi zyrtarisht detyrën e re në bazilikën e Varrit të Krishtit, ku kremtoi Meshën pontificale; ndërsa të mërkurën, më 25 korrik, do të hyjë solemnisht në Bazilikën e Lindjes së Zotit në Betelehem. Imzot Tual e nis misionin e ri, aq të rëndësishëm, sidomos në situatën e sotme të Viseve Shenjte, duke bërë thirrje për paqe në Tokën e Jezusit e në të gjitha trojet e Lindjes së Mesme.







All the contents on this site are copyrighted ©.