Engjëllin e Tënzot Papa ia kushtoi besimit në Hyjin, duke kujtuar edhe tragjedinë
në Filipine, të Lumin e ri libanez dhe Vitin kushtuar Shën Palit.
(23.06.2008 RV)Zbraztësia që krijon nihilizmi, tejet i përhapur dhe dashuria
e Zotit, që e dëbon frikën nga shpirti njerëzor, ishin dje në qendër të fjalëve të
Papës në lutjen e Engjëllit të Tënzot. Pas Lutjes mariane, Benedikti XVI kujtoi viktimat
e tragjedisë detare në Filipine dhe të Lumin e ri të Libanit të martirizuar. Njoftoi,
gjithashtu, besimtarët se të shtunën e ardhshme do të kryesojë kremtimin për hapjen
e Vitit Paolin, kushtuar Shën Palit. Fjala e Hyjit është e qartë – tha Papa – kush
e dron Zotin, nuk ka frikë. Më pas vijoi të fliste për frikën njerëzore, duke nënvizuar
formën kryesore të kësaj frike, atë ekzistenciale, frikën nga vuajtja e nga vdekja,
që shpesh herë kthehet në ankth, duke e pushtuar gjithë jetën e njeriut. Kjo frikë
– shpjegoi Ati i Shenjtë - lind nga ndjenja e zbraztësisë, që lidhet ngushtë me një
farë kulture, e cila ndikohet fuqimisht nga nihilizmi teorik e praktik, me prirjen
për të mohuar gjithçka. Kësaj e të gjitha llojeve të frikës, i kundërvihet druajtja
e Hyjit, të cilën Benedikti XVI, duke përdorur fjalët e Shkrimit Shenjt, e quajti:
“zanafillë të diturisë së vërtetë”. Më pas Ati i Shenjtë shpjegoi se kjo frikë përkon
me besimin në Tënzonë e me respektin e shenjtë për autoritetin e Tij mbi jetën e mbi
botën. “Të mos e kesh frikën e Zotit, është njëlloj si të vihesh në vendin
e Tij, ta ndjesh veten zotërues të së mirës e të së keqes, të jetës e të vdekjes.
Ndërsa kush druan Zotin, ndjen në vetvete atë siguri, që ka foshnja në krahët e
së ëmës”. Pastaj Papa i ftoi të gjithë besimtarët të përgatiten për Vitin Paolin,
duke njoftuar edhe se do t’i hapë solemnisht kremtimet e këtij Viti, të shtunën e
ardhshme, në orën 18. 00, në bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës, me Liturgjinë
e lutjeve të para mbrëmësore të solemnitetit të Shenjtorëve Pjetër e Pal. Pas Lutjes
mariane, mendimi i Papës shkoi tek viktimat tragetit të mbytur në arkipelagun e Filipineve: “Me
emocion të thellë sot paradite mora lajmin e mbytjes në arkipelagun e Filipineve,
të një trageti të përmbysur nga tifoni Fengshen, që pëfshiu këtë zonë. Ndërsa e siguroj
popullsinë e ishujve të dëmtuar nga tifoni për afërsinë time, i lartoj Zotit një lutje
të veçantë për viktimat e kësaj tragjedie të re detare në të cilën, me sa duket ,
humbën jetën edhe shumë fëmijë”. Më pas, duke kujtuar edhe të Lumin e ri,
meshtarin e Urdhërit të Fretërve të Vegjël Kapuçinë, themeluesin e Kongregatës së
Motrave Françeskane të Kryqit të Libanit, mendimi i Benediktit XVI shkoi në këtë vend,
që e quajti ‘të dashur dhe të martirizuar’: “Uroj me gjithë zemër që ndërmjetësimi
i të Lumit Abuna Jakub, bashkë me atë të Shenjtorëve të tjerë libanezë, të xjerrë
nga Zoti hirin që ky vend i dashur, i martirizuar, i cili ka vuajtur aq shumë, të
ecë më në fund drejt paqes që qëndrueshme”. Ndërmjet përshëndetjeve në gjuhë
të ndryshme, po veçojmë atë që Ati i Shenjtë u drejtoi fëmijëve dhe të rinjve polakë
në fillim të pushimeve verore: “Koha e pushimit – uroi Papa – qoftë për të gjithë
rast i përshtatshëm për të krijuar lidhje miqësie me Zotin, për të njohur bukuritë
e natyrës e për të lavdëruar Hyjin, Krijues i gjithësisë”.Me vlerë për të gjithë
fëmijët e të rinjtë e botës ky urim, këto ditë kur, duke u larguar nga klasat e shkollave,
prehen në gjirin e mrekullueshëm të natyrës e, shumë prej tyre, tashmë përgatisin
çantat për shtegtimin e madh drejt Sidneit, drejt takimit të rinisë botërore me Benediktin
XVI.