2008-06-23 18:00:46

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Robert Belarmini, autor i katekizmit për të gjithë".


(23.06.2008 RV)RealAudioMP3 “Oh! Oh! Oh! I mjeri unë, ç’më gjeti! Dom Skarpanji, famullitari i Montepulçianos, një fshat i Toskanës, ka rënë rishtas në kurthin e njërit nga besimtarët e tij. Tashti duhet të sqarojmë se nuk është ndonjë kurth i rrezikshëm. Është thjeshtë një pyetje e vështirë. Besimtari e pyet për shëlbimin. Dëshiron ta kuptojë mirë si i shëlbon Zoti njerëzit. Por puna është se për çështjet e vështira fetare, dom Skarpanji nuk di më shumë se besimtarët e tij. E si të bëjë, i gjori, që nuk di të përgjigjet?
Në atë kohë (kujtojmë se jemi në vitin 1590) shumica e të krishterëve janë të pashkollë. Ndërsa Kishën e drejtojnë njerëz të ditur, që shkruajnë libra të ndërlikuar… Jemi në shekullin e ndeshjes ndërmjet katolikëve e protestantëve e secila palë mundohet të sjellë argumente sa më të forta, për t’i bindur ndjekësit e vet. Por këto debate zhvillohen vetëm ndër qytetet e mëdha, ndërmjet njerëzve të ditur. Dom Skarpanji përpiqet t’i lexojë këto libra, por e lëshon shpejt zemra. Shumë pak merr vesh prej tyre.
“Duket se edhe Belarmini i vogël po shkruan një katekizëm… Dua ta kem në dorë sa më shpejt që të jetë e mundur!” – thotë me vete famullitari.
Belarmini i vogël është një nga fëmijët e katundit, që hyri në urdhërin e jezuitëve, u bë meshtar e tani, edhe kardinal. I besohen misione të rëndësishme nga mjedise shumë pranë papës, për shembull, u dërgohet si delegat pranë mbretit të Francës, Enriku IV, për të mbrojtur Kishën nga pasojat e luftërave civile: po dom Skarpanji vijon ta quajë me dashuri “Belarmini i vogël’, ashtu si atëhere kur ishte vërtetë i vogël.
Famullitari i Montepulçianos ka besim të plotë: edhe pse Robert Belarmini është mendimtar i madh (jep mësim në universitetin e famshëm të Romës), libri i tij do të jetë i kuptueshëm. Belarmini ka qenë gjithjë i qartë e i thjeshtë.
Kur, më në fund, e merr katekizmin aq të pritur, dom Skarpanji mbetet tepër i kënaqur. Së pari, libri është shkruar në gjuhën italiane e jo në atë latine, gjë që e bën më të kapshëm. Pastaj është hartuar në formë pyetjesh e përgjigjesh. Dom Skarpanjit i duket sikur dëgjon pyetjet e besimtarëve të famullisë së vet! Aha, tani nuk do të mbetet më me gojë mbyllur, kur e pyesin. Mjafton të përdorë fjalët e Belarminit, që shkojnë drejt e në thelb të çështjes.
“Ç’thesar!” mërmërit dom Skarpanji, duke përkëdhelur librin. Nuk e di ende se ky katekizëm i vogël do të ketë një sukses tepër të madh. Do të përkthehet në më se gjashtëdhjetë gjuhë, edhe në shqip nga imzot Pjetër Budi, e do të përdoret për treqind vjet me radhë si ‘katekizmi’ i domosdoshëm, pa të cilin s’mund të shpjegohen pyetjet e vështira, që bëjnë vazhdimisht besimtarët. Por edhe sikur ta dinte, sigurisht që nuk do të çuditej fare. Ishte aq krenar për Belarminin e tij të vogël!







All the contents on this site are copyrighted ©.