2008-06-21 16:10:01

Viti kushtuar Shën Palit Apostull në Shqipëri e veçanërisht në Tiranë


Më 28 qershor fillon viti paolin, me Meshën Shenjte të kremtuar nga Papa Benedikti XVI në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve në Romë. Gjatë këtij viti, në të cilin bie 2000 vjetori i lindjes së Apostullit të Popujve, në Romë e në mbarë botën janë parashikuar aktivitete e lutje. Do të jetë e mundur që në disa kisha të caktuara paraprakisht, të merret ndjesa e plotë.
Viti paolin do të kremtohet edhe në Shqipëri, sidomos në dioqezën e Tiranë-Durrësit, e cila katedralen e saj kryesore, atë të Tiranës ia ka kushtuar pikërisht Shën Palit Apostull. Shqipëria ka një lidhje të veçantë me Apostullin e Pupojve, pasi mendohet se është ungjillëzuar pikërisht prej tij. Vetë Shën Pali, në letrën drejtuar Romakëve shkruan se e ka përhapur Ungjillin e Krishtit “nga Jeruzalemi e përqark në Iliri” (Rom 15,19).
Edhe në Shqipëri, viti paolin do të fillojë më 28 qershor me një meshë të kremtuar në orën 11, në Kishën Katedrale kushtuar shenjtit në Tiranë. Pikërisht katedralja e Tiranës është caktuar nga Vatikani si kisha ku besimtarët shqiptarë mund të marrin ndjesën e plotë gjatë vitit paolin. Kushtet për këtë, sipas dekretit të Penitenciarisë Apostolike, janë rrëfimi, kungimi dhe lutja sipas ndjetit të Papës. Bensimtarët e penduar me të vërtetë për mëkatet e tyre duhet të shtegtojnë për në katedralen e Shën Palit në Tiranë dhe të marrin pjesë në ndonjë ceremoni, apo veprimtari kishtare në nder të shën Palit. Gjithashtu, ata duhet të luten para figures së Apostullit të Popujve dhe në përfundim të thonë Atynën, Besojmën Apostolike dhe të kërkojnë ndërhyrjen e shën Marisë Virgjër e të shën Palit pranë Zotit për zgjidhjen e halleve e derteve të tyre. Nga ana tjetër, duhet të kujtojnë edhe shën Pjetrin Apostull, festa e të cilit bie në të njëjtën ditë me atë të Shën Palit.
Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë ka formuar një komision të posaçëm kombëtar për të organizuar disa veprimtari gjatë vitit kushtuar shën Palit.







All the contents on this site are copyrighted ©.