2008-06-21 15:37:33

Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Luigj Gonzagën.


(21.06.2008 RV) Luigji lindi në kështjellën Kastilione të Stivieres, ndërmjet Breshias e Mantovës, në Itali, më 19 mars 1568 nga markezi don Ferrante Gonzaga dhe kontesha Marta Tana di Santena, dy të rinj të sapomartuar, të kthyer pak kohë më parë nga oborri mbretëror i Madridit, ku qenë në shërbim të mbretit Filip e mbretëreshës Elisabeta. Luigji hoqi dorë nga titulli i markezit në favor të të vëllaut, Rudolfit, dhe më 5 nëntor 1585 hyri në noviciat ndër jezuitë, në Romë. Kur këtu shpërtheu epidemia e kolerës, u vu në shërbim të të sëmurëve në spitalin e Shën Sistit. Një ditë, ndërsa shkonte në spital, pa në rrugë të madhe një të sëmurë që po jepte shpirt. E ngarkoi mbi shpinë dhe e çoi në duar të mjekëve. Iu ngjit, kështu sëmundja, që do ta çonte në vdekje. Ndërroi jetë më 21 qershor të vitit 1591. Ishte vetëm 23 vjeç. Mbetet model i të riut katolik – e - prandaj edhe u shpall Pajtori i rinisë katolike.
Besimtarët shqiptarë, që dëshirojnë ta njohin më për së afërmi Shenjtin e Rinisë, mund të lexojnë veprën origjinale të Dom Ndre Mjedës “Shën Luigj Gonzaga, Projsi i pergjithtë i moshës së ré”. Në XXI kapituj tregohet jeta dhe vepra e Shenjtit që u shpall nga Papa Piu XI “Pajtor i rinisë”, ndërsa në kapitullin e XXII e të fundit botohet Letra Apostolike që Piu XI i drejtoi Eprorit Gjeneral të Shoqërisë së Jezuitëve me rastin e kremtimeve të dyqindvjetorit të shenjtërimit të Shën Luigjit, përmes së cilës, siç thotë ai vetë, ka për qëllim t’i flasë mbarë moshës së re. Në kreun e parë - siç e quan Mjedja, lexojmë: “Luigj Gonzaga! Êmen qi ká mbushë tokën me fatosa e qiellen me êjë; që ka begatë bashtinën e Jezu Krishtit me punëtorët mâ të vjefshem; qi ká bâ me lulëzue nder kolegja e nder kuvende zamakët mâ të kândshem të nji pastrís êjëllore; qi ká xé mjeshtrat mâ të mëdhaj të harteve të bukra, me shkrí dijen e mjeshtrín e vet me përhapë fëtyren e tij në të kater anët e botës; me ndertue ltérna e kisha gjithkû permêndet féja e Krishtit, prei qândres së Kështênimit në Romë, e deri në mâ të largtin katund ndertue rishtas prei gjindsh, qi vllaznit e tyne të gjytetnuem kerkuene nder pyje të páshteg, nder shkretína të mndérshme të Afrikës e t’Amerikës, e joshne me u mbledhë së bashkut , për të paren herë me kalue nji jetë njerzore; emën që lëshon nji erë të kandshme në zemrë të nanave, qi hitasin me ju vú at’êmen fëmijvet, qi të jenë shembull urtijet, kënaqja e zemrave e ndera e shtëpisë së tyne. Në kreun XXII të librit, që titullohet “Zani i Shêjtit Atë Papë” shpjegohet edhe arsyeja që e shtyu Mjedjen lirik e gjuhëtar, t’i kushtonte aq shumë kohë biografisë së një Shenjti: ...me ndjekë shembullin e Luigjit, do me thânë me i pergiá e me shkue mbas gjurmëve të tija: bisedat e mira, dishiri per Misjone shêjte, mësimi i të vertetave të Fés, e veprat e mëshirshme gjithnduersh - s’kishte me u lypë tjeter veç njikaq prej moshës së ré katolike, per me persritë Apostullimin e Luigjit, simbas nevojëve të soçme... (gjâ qi do të ndikonte në mënyrë vendimtare –shënimi ynë) per mirërritjen e pshtimin e të ríve, sidomos në ket kohën tonë plot me rreziqe per ta...- shkruhet në Letrën Apostollike të Shenjtit Atë Papë.







All the contents on this site are copyrighted ©.