2008-06-21 15:38:06

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Margaret Klitrou: 'Feja ime është punë për mua”.


(22.06.2008 RV)Përse bien këto daulle, që përhapin tinguj të shqetë nëpër rrugët e Jorkut, në këtë mëngjes të 25 marsit 1586? Nuk kumtojnë ekzekutimin e një meshtari katolik, siç ndodh shpesh në këto kohë të vështira, por të një gruaje: quhet Margaret Klitrou. Rojet e çojnë në vendin e ekzekutimit. Jorku është një qytet i vogël anglez e, natyrisht, të gjithë banorët e njohin Margaretën: është bashkëshortja e kasapit Xhon Klitrou, nënë e një familjeje me shumë fëmijë, grua e sjellshme e gjithnjë me buzë në gaz. Ndihmon të shoqin në dyqan, u thotë fjalë dashamire blerësve e i rrit mirë fëmijët që i fali Zoti. E pra këtë mëngjes banorët e Jorkut nuk kanë guxim as ta shikojnë në sy. Në se sillen miqësisht me të, rrezikojnë jetën e tyre. Po pse gjithë kjo potere e gjithë ky rrezik? Margareta është katolike, ndërsa mbretëresha e Anglisë, Elizabeta, i urren me gjithë shpirt katolikët: ka vendosur t’i dënojë me vdekje të gjithë ata, që nuk duan të hyjnë në Kishën e Anglisë, të shkëputur nga Roma, themeluar nga i jati, Enriku VIII. Margareta bën pjesë në grupin e këtyre njerëzve ‘kryeneçë’, që nuk pranojnë të heqin dorë nga feja katolike. Nuk i duket aspak e arsyeshme të lutet e të besojë në Hyjin, ashtu si dëshiron mbretëresha. Ç’punë ka mbretëresha me lutjet e saj, me besimin e saj? Margareta e do Kishën katolike, që e mbron pavarësinë e vet e nuk pranon t’u nënshtrohet sundimtarëve të botës. Ashtu si i duket krejt e papranueshme që një mbretëreshë të vetshpallet edhe kryetare e fesë. Kisha qëndron mbi mbretërit, nuk është në duar të tyre. Kisha nuk është në duar njerëzore, qofshin edhe mbretërore. Kështu Margareta mbeti katolike: fshehu priftërinj në shtëpinë e vet e vijoi të merrte pjesë fshehurazi në kremtimin e Meshës Shenjte. Deri në ditën kur e zbuluan. Margareta e rëndoi më keq gjendjen, duke mos pranuar të marrë pjesë në gjyqin kundër saj, i cili e dënoi si kryengritëse. Deklaroi: “Me që jam e pafajshme, nuk më duket e arsyeshme të gjykohem: feja ime, është punë për mua!”. Për më tepër druhej se do t’ia çonin edhe familjen kundra: prej gjykatësve mund të pritej gjithë e zeza. Ata mund t’i kërcënonin të bijtë të dëshmonin në gjyq se kishte thënë fjalë të pathëna e kishte bërë gjëra të paqena. Sidoqoftë, gjykata e konsideroi mungesën e saj si fyerje të rëndë. Kështu Margareta u dënua, pa pasur asnjë mundësi të mbrohej. E megjithatë, ajo ecte krejt e qetë drejt vendit, ku e priste tortura e vdekja. Buzagaze, si gjithmonë. E ndërsa nisën ta torturonin, ajo gjeti forcë të përsëriste fjalët e shqiptuara nga Zoti i saj në kryq: “Fali, o Atë, se nuk e dinë çfarë bëjnë!”. Nuk u pendua për asgjë: as pse i qëndroi besnike Kishës katolike e as pse dëgjoi zërin e ndërgjegjes së vet, në vend që të dëgjonte zërin e mbretëreshës!







All the contents on this site are copyrighted ©.