2008-06-21 15:52:11

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.: "Karl Borromeu, që braktisi traditën e luksit e zgjodhi rrugën e varfërisë".


(21.06.2008 RV)Në shekullin XVI shpesh herë të rinjtë hynin në urdhërat rregulltare më shumë për të kryer një detyrë, se sa për t’iu përgjigjur thirrjes për rrugën meshtarake. Sipas traditës së aristokracisë, djali i parë duhet të ndiqte karrierën ushtarake, ndërsa të tjerët, atë rregulltare. Karl Borromeu nuk bën përjashtim nga rregulli. Është djali i tretë i një familjeje fisnike e të kamur e prandaj hyn në kuvend që në moshën tetë vjeçare. Mos besoni se e pret një jetë e vështirë... përkundrazi!
Xhaxhai i Karlit, Papa Piu IV, vë re cilësitë e shquara të të nipit dhe i beson detyra të rëndësishme; e zgjedh sekretar të përgjithshëm e më pas e emëron edhe kardinal. Djaloshi kalon një jetë plot salltanet. Ka njëqind e pesëdhjetë shërbëtorë, njëzet stallierë, dhjetra kuaj e karroca. Shkon për gjah, organizon festa e takime, në të cilat marrin pjesë intelektualët më të shquar të kohës. Por kjo nuk e pengon të lidhet gjithnjë më ngushtë me Zotin. Kur i vdes, papritmas, vëllai i madh, prindërit shpresojnë se do ta braktisë karrierën fetare, për t’u martuar e për të marrë në dorë drejtimin e familjes. Por ai nuk pranon: dëshiron të bëhet meshtar. Shugurohet në korrik të vitit 1563 e që nga ky çast, jeta e tij ndryshon krejtësisht. Braktis luksin, për të kaluar një jetë të shtrënguar, gjithnjë në lutje. I emëruar kryeipeshkëv i Milanos, shpreh dëshirën të shkojë e të jetojë në dioqezën e vet, për të qenë më pranë besimtarëve. Por Papa Piu IV ka akoma nevojë për të në Romë: i beson zbatimin e reformave të vendosura nga Koncili i Trentit, që sapo ka përfunduar. Kështu Karli themelon seminare, përkthen Biblën, përpunon këngët e Meshës, krijon vepra të reja bamirësie. Në vitin 1565 Piu IV vdes. Një vit më vonë, pasardhësi i tij, Piu V, e lejon Karlin të vendoset në dioqezën e tij. Në Milano ipeshkvi i ri jeton si murg: fle në një dhomë të vogël nën çati e ha vetëm një herë në ditë. I bie kryq e tërthor dioqezës për t’i dhënë zemër klerit e besimtarëve e për të zbatuar reformat e reja. Organizon shtegtime, ndërton seminare, jetimore, spitale e lufton kundër dokeve të këqija të epokës. E përdor pasurinë e tij për të realizuar shumë projekte e për të ndihmuar nevojtarët.
Karli heq dorë nga jeta luksoze, për t’iu kushtuar plotësisht të gjithëve, në lutje e varfëri.








All the contents on this site are copyrighted ©.