Duke shpallur Ungjillin, ofroni një mesazh shprese njerëzimit sot: kështu Papa Benedikti
XVI pjesëmarrësve të Kongresit të radiove katolike
(20.06.2008 RV)Duke shpallur të Vërtetën ungjillore i ofroni mesazhin e shpresës
njerëzve të kohës sonë: kështu u tha sot Papa Benedikti XVI pjesëmarrësve të Kongresit
ndërkombëtar të Radiove katolike, i cili përfundon nesër në Universitetin Papnor Urbanian
të Romës. Është e rëndësishme – u tha Ati i Shenjtë gazetarëve, që i priti në
audiencë në Sallën Klementina në Vatikan – që Fjala e Zotit të bëhet tërheqëse, nëpërmjet
programeve radiofonike, të cilat prekin zemrën e njerëzve të kohës sonë. Shërbimi
i operatorëve radiofonikë është i rëndësishëm, sepse u lejon dëgjuesve të njohin më
mirë Krishtin, të dëgjojnë Papën dhe ta duan Kishën. Format e shumta të komunikimit,
nënvizoi Papa Racinger, tregojnë qartë se njeriu është bërë për të jetuar sëbashku
me të tjerët, në marrëdhënie shoqërore me ta: “E këtë e bën sidomos përmes
fjalës. Në thjeshtësinë e në varfërinë e saj në dukje, fjala, duke bërë pjesë në gramatikën
e përbashkët të gjuhës, është një mjet, që realizon aftësinë e njerëzve për të krijuar
marrëdhënie ndërmjet tyre”. Por në ç’mënyrë një radio katolike e ndihmon Kishën
dhe përhapjen e Ungjillit? Papa reflektoi për këtë në pjesën e shqiptuar në frëngjisht: “Për
arësye të lidhjes së saj me fjalën – theksoi – radioja merr pjesë në misionin kishtar,
por njëkohësisht, bën të lindë një mënyrë e re për të jetuar në Kishë e për të qenë
Kishë”. Format e shumta të komunikimit mund të jenë një dhuratë e Zotit në shërbim
të zhvillimit të personit e të krejt njerëzimit. Radioja, përmes muzikës e fjalës,
mund të informojë dhe të argëtojë, të shpallë e të denoncojë, por gjithnjë duke respektuar
realitetin dhe duke pasur parasysh perspektivën e edukimit me të vërtetën e me shpresën.
E pastaj, Papa shtoi: “Jezu Krishti na dhuron të Vërtetën mbi njeriun e për
njeriun dhe, duke u nisur nga kjo e Vërtetë, na jep shpresën për të tashmen e të ardhmen
e personave dhe të botës”. Në këtë kontekst, Ati i Shenjtë inkurajoi radiot katolike
ta vazhdojnë misionin e tyre në shërbim të Fjalës së Zotit. Në spanjisht, duke cituar
Enciklikën “Spe Salvi”, Benedikti XVI vuri theksin mbi origjinalitetin e komunikimit
të krishterë: “Në fakt, Ungjilli nuk është vetëm komunikimi i gjërave që duhen
ditur, por është ai komunikim, i cili prodhon ngjarje e ndryshon jetën”. Ky komunikim
i Zotit, shtoi Papa, ofron një horizont të ri shprese dhe të vërtete për aspiratat
njerëzore. Në anglisht, Ati i Shenjtë analizoi kushtet në të cilat punojnë radiot
katolike në agim të Mijëvjeçarit të Tretë: “Sot, megjithëse përdorni teknologjitë
moderne të komunikimit, fjalët që transmetoni janë të përvujta e nganjëherë duket
se humbin në mesin e konkurrencës së mas mediave të tjera, më të zhurmshme e më të
fuqishme”. Megjithatë, i këshilloi Benedikti XVI gazetarët katolikë, nuk duhet
të çkurajoheni, por të vazhdoni të mbillni farën e Fjalës, duke plotësuar urdhërimin
ungjillor për shpalljen e Lajmit të Mirë të gjitha kombeve: “Fjalët që transmetoni
– kujtoi Papa Racinger – arrijnë tek shumë persona, disa prej të cilëve nuk shkojnë
kurrë në kishë, sepse nuk besojnë, ose janë të feve të tjera”. Të tjerë, as që
kanë dëgjuar të flitet për Jezu Krishtin, e pikërisht përmes radios, mbërrijnë edhe
tek ata për herë të parë, fjalët e Shpëtimit. Është një punë që kërkon durim e që
përfaqëson bashkëpunimin e radiove në misionin apostolik, përfaqëson në botë jehonën
e atij rrjeti miqësie ndërmjet qiellit e tokës, ndërmjet njerëzve të të gjitha kontinenteve
e epokave, krijuar nga prania e Krishtit të Ngjallur. E ja këshilla e Atit të Shenjtë: “Duke
ndihmuar çdo njeri t’ia hapë zemrën Krishtit, do të ndihmoni botën t’ia hapë dyert
shpresës e t’ia hapë dykanatësh atij qytetërimi të së vërtetës e të dashurisë, që
është fryti më i qartë i pranisë së Hyjit në mesin tonë”. Nga ana e tij, kryeipeshkvi
Klaudio Maria Çeli, kryetar i Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore, në fjalën
drejtuar Atit të Shenjtë, kujtoi se radioja që në fillimet e saj ka gjetur përkrahjen
e papëve si një mjet i pazëvendësueshëm ungjillëzimi e kulture: “Vizita që
Ju keni bërë në Radio Vatikan, në 75-vjetorin e themelimit, ka nënvizuar edhe më tej
rolin e çmuar që luajnë emitentet radiofonike në kuadrin më të përgjithshëm të komunikimit”. Imzot
Çeli ripohoi impenjimin e dikasterit që drejton, në mënyrë që radiot katolike të ofrojnë
gjithnjë e më shumë informacion në shërbim të personit.